Anijet luftarake të Kinës kaluan nga ujërat ndërkombëtare në afërsi të ishujve japonezë në Paqësorin Perëndimor pasi Japonia prezantoi strategjinë e saj të re kombëtare, transmeton Anadolu Agency (AA).
Në një deklaratë nga Ministria japoneze e Mbrojtjes thuhet se shkatërruesi (destroyer) kinez i klasit “Tip 055” që mbart raketa të udhëzuara dhe shkatërruesi Kayfıng i klasit “Tip 051” si dhe një anije furnizuese kaluan në Ngushticën Osumi në jug të Japonisë.
Në anën tjetër u përcaktua se anija e inteligjencës elektronike e klasit “Tip 815” me numër bordi 796 ka lundruar në Ngushticën Miyako në jug të Okinava-s. Ministria vuri theksin se anijet u monitoruan nga avionët luftarakë dhe anijet japoneze.
Ka tërhequr vëmendje se aktivitetet lundruese janë zhvilluar menjëherë pasi Qeveria e Tokios njoftoi strategjinë e re të sigurisë kombëtare e cila parashikon rritjen e kapacitetit kundër sulmues të ushtrisë dhe rritjen e shpenzimeve të mbrojtjes.
Në lajmin e publikuar në “Global Times” organi transmetues i Partisë Komuniste që drejton Kinën, duke u bazuar në ekspertë të pa identifikuar vlerësohet se me kalimin e anijeve nëpër ngushtica “është treguar aftësia e ushtrisë kineze për të mbrojtur sovranitetin kombëtar, integritetin territorial dhe interesat e zhvillimit të vendit përballë veprimeve të reja ushtarake të Japonisë”.
Në strategjinë e re thuhet se prania ushtarake në rritje e Kinës “është kërcënimi më i madh strategjik kundër sigurisë kombëtare të Japonisë dhe paqes ndërkombëtare”.
Zëdhënësi i Ministrisë së Jashtme të Kinës, Wang Wenbin në një konferencë për media në Pekin tha se Kina mbështet vazhdimin e paqes dhe stabilitetit në rajonin Azi-Paqësor dhe përtej tij. “Japonia shtrembëron të vërtetat, largohet nga qasja e përbashkët mes dy vendeve dhe njollos reputacionin e Kinës. Ne e dënojmë këtë dhe protestojmë diplomatikisht”, deklaroi Wenbin.
Ai theksoi se Kina dhe Japonia janë dy fqinje të afërta dhe vende të rëndësishme të rajonit. “I bëjmë thirrje Japonisë për vazhdimin e miqësisë dhe bashkëpunimit mes dy vendeve dhe të respektojë parimet e 4 Dokumenteve Politike që mbështesin marrëdhëniet diplomatike. Kina dhe Japonia duhet ta shohin njëra-tjetrën si partnerë bashkëpunimi dhe jo si kërcënim. Vendet e Azisë duhet të respektojnë shqetësimet e sigurisë së njërë-tjetrës”, tha Wenbin.