Bruksel, 17 nëntor – Në selinë e NATO-s në Bruksel mbrëmë u mbajt takimi i parë i përfaqësuesve të lartë për qëndrueshmëri në të cilin foli sekretari i përgjithshëm Jens Stoltenberg.
Në takim mori pjesë drejtori i Qendrës për Menaxhim me Kriza, Stojançe Angellov, i cili informoi për agjendën nacionale për vlerësim dhe ndërtim të kapaciteteve të qëndrueshmërisë, duke e theksuar parimin e përfshirjes së të gjithë faktorëve nacionalë.
Siç informojnë nga QMK, aleatët i kanë ndarë njohuritë dhe drejtimet e tyre për përforcimin e qëndrueshmërisë nacionale dhe kolektive në dritën e rrethinës së rëndësishme të ndryshuar të sigurisë në zonën euroatlantike. Udhëzimet e tyre, siç është bërë e ditur në kumtesë, do t’i definojnë qëllimet për qëndrueshmëri të Aleancës, të cilat do të prezantohen para liderëve të NATO-s në samitin në Uillnus korrikun e ardhshëm.
“Forca e parandalimit dhe mbrojtjes sonë bazohet në qëndrueshmërinë e shteteve dhe shoqërive tona. Kjo është arsyeja pse NATO është fokusuar në qëndrueshmëri që nga fillimi i Aleancës. Që nga viti 2016, NATO i ka kushtuar më shumë përpjekje kësaj, duke vendosur kërkesa bazë për aleatët për të vlerësuar qëndrueshmërinë kombëtare në fushat kryesore, duke përfshirë vazhdimësinë e shërbimeve qeveritare, komunikimet, transportin, ushqimin, ujin dhe furnizimet me energji, si dhe trajtimin e viktimave masive dhe lëvizjes së pakontrolluar të njerëzve”, theksoi në fjalimin e tij sekretari i përgjithshëm Stoltenberg.
Vitin e kaluar, aleatët u pajtuan për përkushtim të përforcuar të qëndrueshmërisë dhe si pjesë të agjendës së NATO 2030, të emërojnë një përfaqësues të lartë i cili do t’i koordinojë përpjekjet për qëndrueshmëri nacionale dhe do t’i përmirësojë konsultimet në kuadër të NATO-s. Në takimin e parë aleatët u morën vesh që të zhvillojnë udhërrëfyes për qëndrueshmëri në Samitin në Uillnus në vitin 2023, që të sigurojnë progres të dukshëm dhe me kohë.
Sekretari i përgjithshëm Stoltenberg, siç është bërë e situr në kumtesën e QMK-së, i njohu veprimet e shpejta të cilat aleatët i ndërmorën pas incidenteve në “Rrjedhën Veriore” që të sigurohet qëndrueshmëri e infrastrukturës kritike me prani më të madhe ushtarake dhe shkëmbim të informacioneve të inteligjencës. Ai, gjithashtu, ju bëri thirrje aleatëve që të bashkëpunojnë më afër dhe t’i përshpejtojnë përpjekjet e tyre për qëndrueshmëri, duke e theksuar rolin e NATO-s si qendër për konsultime transatlantike.
Burimi: zhurnal.mk