Fer Volley i Ferizajt – tjetër nivel në Kampionatin e Kosovës.
Klub i organizuar, me disiplinë e angazhim dhe punë profesionale, arritën në maje – kampion i Kosovës.
Kryetrajneri i Fer Volley-t, Edon Ibrahimi, ka thyer rekordin për faktin se ka mbyllur kampionatin e rregullt pa as një humbje, 21 fitore, kur i shtohen edhe 5 në play-off, gjtihsej 26 fitore rresht.

Bahri Gjinovci – kryetar i FVK-së, Aneta Beqiri – kapitene dhe Agim Aliu, kryetar i komunës së Ferizajt
Rekord i Kosovës.
Kapitenja Aneta Beqiri, prej volejbollisteve më të mira në Kosovë, shprehet krenare për suksesin me klubin e saj, Fer Volley.

Fer Volley
“Ishte një rrugëtim i gjatë dhe i mbushur me sfida, por kemi besuar në punën tonë që nga dita e parë.
Suksesi me Fer Volley nuk na erdhi rastësisht – ka qenë rezultat i përkushtimit, disiplinës dhe shpirtit të bashkëpunimit që e kemi ndërtuar gjatë gjithë sezonit.
E kemi pritur këtë moment, sepse e kemi ndjerë se ekipi ishte gati për të bërë histori”, thotë Beqiri për gazetën kombëtare “Bota sot”.
Fer Volley ka treguar lojëra të cilësore në çdo ndeshje, dëshmia më e mirë është se pa humbje e mbyllën Kampionatin e Kosovës.
Këtë klub në aspektin organizativ dhe të punës e lakmojnël edhe klubet tjera.
“Çka na ka dalluar nga rivalët ka qenë harmonia brenda skuadrës, puna profesionale e stafit teknik dhe mbështetja e jashtëzakonshme nga tifozët tanë.
Në finale, pika jonë më e fortë ishte loja kolektive dhe përqendrimi në momente kyçe.
Kur vinte puna te presioni, ekipi ynë dinte të ruajë qetësinë dhe të japë maksimumin.
Jemi krenarë për këtë titull dhe e dedikojmë këtë sukses të gjithë atyre që kanë besuar në ne”, shprehet kapitenja e klubit.
Fer Volley festoi duke i shkaktuar humbje me rezultat 3:2 Skenderajt në finalen e tretë të play-off-it.
Fer Volley të tri ndeshjet finale i fitoi karshi vashave të Skenderajt.
Beqiri falënderon edhe sponsorët për mbështetje.
“Një falënderim i veçantë shkon për sponsorët tanë, të cilët kanë qenë shtyllë e rëndësishme në këtë rrugëtim.
Pa mbështetjen e tyre financiare dhe morale, shumë prej këtyre sukseseve do të ishin të pamundura.
Jemi me fat që kemi pasur partnerë që besojnë në sportin vendor dhe në potencialin tonë”, ka përfunduar Beqiri.
Burimi: botasot.info