Carlo Ancelotti e ka marrë vendimin e tij, ai kërkon të përmbushë me çdo kusht kontratën e tij që e lidh me Realin e Madridit deri në vitin 2024. Javët e fundit, emri i Carlo Ancelotti është lidhur jo pak dhe me Federatën Braziliane të Futbollit.
Ai mbetet një mes kandidatëve potencialë për të zëvendësuar Titen në krye të pesë herë kampionëve të botës.
Megjithatë, në mendjen e tij qëndron vetëm Reali i Madridit dhe Karleto nuk dëshiron të largohet pa përmbushur misionin e tij. Italiani e ka përsëritur dëshirën e tij për të vijuar në Madrid edhe gjatë një interviste të fundit të dhënë për “Radio Rai”.
“Askush nuk e di se çfarë mund t’i rezervojë e ardhmja. Por nuk dua të bëj planet afatgjata dhe të mendoj shumë për atë çfarë do të ndodhë më vonë. Unë jetoj momentin dhe kështu unë jam i lumtur në Madrid. Kam ende shumë objektiva për të përmbushur me Realin në këtë sezon.
Ndaj do të kem kohë mjaftueshëm për të menduar për të ardhmen. Nëse Reali nuk më jep duart, do të qëndroj këtu deri në vitin 2024″, ka thënë Ancelotti.