Analizë/ Zgjedhje të parakohshme apo zgjerim të Qeverisë?

December 2, 2022
min lexim

Shkup, 2 dhjetor – Maqedonia e Veriut ndodhet në një situatë mjaftë delikate, Qeveria mund të quhet stabile vetëm sepse ende qëndron në “këmbë” përndryshe ka lëkundje e luhatje që mezi po menaxhohen, nga kreu i Qeverisë. Kur kemi një mungesë stabiliteti dhe një numër të madh të deputetëve që janë të pakënaqur, ku secili deputet që largohet nga shumica mund të rrezikojë prishjen e Qeverisë, me çka vendi duhet të shkojë në zgjedhje. Nga ana tjetër, sfida më e madhe e vendit është të bëjë ndryshimet e nevojshme Kushtetuese që Maqedonia e Veriut përfundimisht të marrë datë për fillim të negociatave me BE-në. Opozita maqedonase, VMRO-DPMNE është kundër ndryshimeve Kushtetuese, ndërkaq opozita shqiptare e copëzuar, Aleanca për Shqiptarët si bosht i opozitës, flitet për inkuadrim në këtë përbërje qeveritare, nga Lëvizja Besa e cila po rrezikon të mbetet si parti e vetme opozitare shqiptare janë për ndryshime Kushtetuese por vetëm nëse ndryshon edhe gjendja e gjuhës shqipe në Kushtetutë, shkruan Zhurnal.

 

Cila do të ishte zgjidhja e duhur, të zgjerohet shumica qeveritare apo vendi të shkojë në zgjedhje të parakohshme?

Përbërja aktuale e Qeverisë së Maqedonisë së Veriut është votuar në Kuvend më 16 janar të vitit 2022 me 62 vota “pro” dhe 46 “kundër”, pasi kryetari i LSDM-së, Dimitar Kovaçevski e fitoi mandatin për përbërje të Qeverisë nga Presidenti Stevo Pendarovski. Në mungesë të 12 deputetëve, njëri prej të cilëve ishte pjesë e shumicës, Ali Ahmeti, dhe Kastriot Rexhepi, nga Lëvizja Besa që me daljen e partisë së tij nga shumica, ky vazhdoi ende. Kjo nënkupton që Qeveria aktuale përbëhet nga një shumicë prej 64 deputetësh.

Nëse flasim për zgjedhje të parakohshme parlamentare kemi të bëjmë me një kthim mbrapa për sa i përket procesit eurointegrues, me një kaos funksionimi në mesin e krizës ekonomike, me një qeveri teknike që do të jetë edhe më e dobët në menaxhimin e situatës së rënduar. Pastaj, ajo që rrezikohet më së shumti është se kush do të jetë fitues i zgjedhjeve të ardhshme, që sipas gjitha anketave të fundit fitues potencial mund të jetë VMRO-DPMNE partia e cila do të ndërpres rrugëtimin për në BE duke mos përmbushur kriterin kryesor, futjen e pakicave bullgare në Kushtetutën e vendit.

Zgjerimi i qeverisë nuk mund të konsiderohet si zgjedhje e duhur sepse prodhon pasoja afatgjate sidomos në kampin politik shqiptarë, duke marrë në Qeveri partinë më të madhe opozitare e më kundërshtuese të këtij pushteti. Por, një mundësi e tillë nuk mund të përjashtohet ajo që veçse është folur në publik për sa i përket inkuadrimit të Aleancës për Shqiptarët në këtë përbërje qeveritare. Kjo mbase mund të ndodhë nëse një grup i deputetëve të pakënaqur do të shkëputen nga kjo përbërje qeveritare.

Ndërkaq, shkuarja në zgjedhje të parakohshme vendin do ta kthejnë sërish në pikën zero, dhe do të rrezikohet e ardhmja integruese e vendit nëse VMRO-DPMNE fiton pushtetin dhe vjen në krye të Qeverisë.

A ka nevojë të zgjerohet përbërja aktuale qeveritare?

Përbërja aktuale qeveritare është duke u përballur me disa tundime të disa deputetëve që janë të pakënaqur nga partitë e tyre, në rast të ndryshimit të pozicionimit të tyre nga shumica, atëherë janë të detyruar të zgjerohen për të ruajtur pushtetin. Përndryshe, një zgjerim i tillë vetëm për të shtuar numrin e deputetëve është i parëndësishëm dhe i panevojshëm, që mund të prodhojë vetëm pasoja.

Megjithatë, e ardhmja evropiane e Maqedonisë së Veriut është prioritet dhe duhet të zgjidhet me konsensus të gjerë politik e shoqëror. Sfidë e vendit është integrimi evropian e për të cilin duhet bërë me doemos ndryshimet kushtetuese, por për ndryshimet e tilla është i patjetërsueshëm koordinim më i gjerë politik.

Për të cilat janë të nevojshme 80 vota, shumica aktualisht ka vetëm 64 deputet, ndërkaq Aleanca për Shqiptarët ka 7 deputet, që në total do të kenë 73 deputet, pra do të nevojiten edhe 7 të tjerë. Nuk është i nevojshëm zgjerimi i Qeverisë, pasi nga ASH patën deklaruar se do të votojnë ndryshimet Kushtetuese në rast ndryshon edhe përkufizimi me përqindje nga Kushtetuta për gjuhën shqipe.

A ka gjasa të ketë zgjedhje të parakohshme parlamentare?

Zgjedhjet e parakohshme çdoherë janë në favor të partive politike opozitare, kjo mbase është e qartë në kampin politik maqedonas, madje kjo është edhe një ndër kërkesat e opozitares maqedonase, VMRO-DPMNE, që vendi duhet doemos të shkojë në zgjedhje të parakohshme. Por, ajo që është e pazakontë është situata politike në kampin shqiptarë, që po rrezikon politika shqiptare të mbetet vetëm me një parti opozitare, Lëvizjen Besa, ndërkaq katër partitë të tjera të jenë pjesë e së njëjtës shumicë parlamentare e partnerë koalicioni.

Megjithatë, edhe nga Lëvizja Besa kanë shprehur gatishmërinë për të qëndruar në opozitë dhe sigurisht janë të gatshëm edhe për të garuar në zgjedhje nëse shkohet në zgjedhje të parakohshme.

Ndryshe, Komiteti Qendror i VMRO-DPMNE-së ka miratuar dy kërkesa kryesore në përgjigje të krizës politike dhe ekonomike. E para është organizimi i zgjedhjeve të parakohshme parlamentare jo më vonë se në pranverën e vitit 2023, siç thonë nga kjo parti, si e vetmja rrugëdalje nga kriza ekonomike dhe politike, si dhe përkrahja e KQ të grupit parlamentar të VMRO-DPMNE-së në qëndrimin e mospranimit të ndryshimeve në Kushtetutë nën diktatin e Bullgarisë.

Kërkesa e dytë është miratimi i menjëhershëm i propozimeve të VMRO-DPMNE-së që i referohen rimëkëmbjes së ekonomisë, standardit dhe jetesës sociale dhe propozimet e të cilëve janë në Parlament në formën e propozim zgjidhjeve amendamentuese për buxhetin e ri. Kjo paketë me mbi 10 masa nënkupton mbështetje ndërhyrëse për ekonominë.

Pra, partia më e madhe opozitare maqedonase, po kërkon zgjedhje të parakohshme të cilat vendin do ta kthejnë sërish në pikën zero, dhe do të rrezikohet e ardhmja integruese e vendit nëse kjo parti fiton pushtetin dhe vjen në krye të Qeverisë. /Zhurnal.mk

Burimi: zhurnal.mk

MARKETING

MARKETING

RENT A CAR

MARKETING

Story i mëparshëm

Mori patentën e bllokuar kundrejt ryshfetit/ Në pranga polici dhe ndërmjetësuesi, nën hetim qytetarja

Story i radhës

Në Brazil vendosin një kuotë të çuditshme për Xhakën dhe Shaqirin

Të fundit nga

Gënjeshtra, dobësi apo aftësi?

A mund të na çojë një gënjeshtër e bardhë në rrugën e një mashtrimi më të madh? Pasi themi një gënjeshtër, çfarë mund të na ndalojë për të  gënjyer? Pse ndonjëherë mendojmë
ShkoLartë