Analizë/Përse ASH-ja mund të fitojë e jo të humbë nga hyrja në Qeveri?

-Gabohen ata që mendojnë se një parti shqiptare mund të fitojë më shumë nga bashkëpunimi me VMRO-në, pasi këtë ASH-ja e kaloi si përvojë të hidhur kur iu përgjysmua trupi votues…

/Analizë e portalit indeks.mk/

Pas paralajmërimit se hyrja e Aleancës për Shqiptarët është “çështje e kryer” për t’iu bashkangjitur koalicionit qeveritar, në media ka shumë argumente “pro” dhe shumë të tjera “kundër”. Duke i marrë parasysh argumentet “kundër”, do t’iu kundërvihemi me ato “pro”.

Një argument që disa tekste me shumë fatalizëm e trajtojnë hyrjen në Qeveri, është se ASH-ja pas kësaj do të shuhet krejtësisht! Sipas atyre që konkluzat i nxjerrin nga emocionet duke pirë çaj në çarshitë e kasabave tona politike, do të thonë se deri tash i ka kritikuar partitë në pushtet për këtë e atë dhe tash iu bashkangjitet atyre.

Që domethënë, i kanë hëngër fjalët që i kanë thënë deri tash.

Për t’iu dhënë përgjigje këtyre dilemave, duhet parë cila është alternativa. E alternativat janë dy: njëra, që të vazhdojë atje ku ishte në zgjedhjet e fundit lokale, si një vazhdimësi “e natyrshme“ е bashkëpunimit me VMRO-DPMNE-në(pas përpjekjeve të përbashkëta para kësaj për krijimin e një shumice të re). Në këtë variant, bashkëpunimi me VMRO-në do të duhej të zhvillohet në “pako” me Lëvizjen Besa. Opsioni tjetër është që ASH të dalë në zgjedhje vetëm.

E para, duhet thënë një të vërtetë të madhe: kush dhe kur i ka hëngër fjalët e veta, është një temë tejet banale, sepse partitë politike dhe ata që sot e kritikojnë veprimin e ASH-së, si bie fjala rasti I Lëvizjes Besa, vetë në situata të tjera e kanë bërë të njëjtën. Zaten, në politikë asnjëherë nuk mund të thoni “kurrë më”, sepse situata ndërrojnë nga rasti në rast. Lëvizja Besa që sot e akuzon ASH-në se po e lëshon frontin opozitar, deputetët që sot i ka ende me mandat fuqiplotë, i ka fituar jo në bashkëpunim me VMRO-në me të cilën sot është afruar dhe bën plane jaranie për të ardhmen, por me LSDM-në!

Shitja moral nga Besa nga këto pozicione, është hipokrizi.

Por, më tepër se çështja e moralit politik, në rastin e ASH-së është edhe çështja pragmatike. Atë që dëshiron ta provojë Lëvizja Besa, bashkëpunimin me VMRO-në, ASH-ja dhe Alternativa e kanë kaluar si përvojë. E përvoja është e hidhur: Dy partitë që më parë kishin tubuar mbi 80 mijë vota, në zgjedhjet lokale që bashkëpunuan si koalicion me VMRO-në, ranë përgjysmë! Cila do të ishte arsyeja që të këmbëngulnin në diçka që u tregua e pasuksesshme. Prej kësaj nuk duhet të nxirret konkluzioni për t’i mëshuar vijë e për ta fshirë VMRO-në nga bashkëpunimi në të ardhmen, por fakt është se te elektorati shqiptar, imazhi i VMRO-së ende trajtohet si parti nacionaliste me qëndrime problematike kundrejt shqiptarëve. Nuk është vetëm një klishe, por dhe deklaratat e kohëpaskohshme të përfaqësuesve të VMRO-së, që flasin për disa rishikime të disa të arriturave në dobi të shqiptarëve(vendosja me “shumicë Badenteri”, heqja e “balanserit” për përfaqësim të drejtë në administratë etj.), por dhe vetë pozicionimi kundërthënës rreth ndryshimeve kushtetuese, e bëjnë problematik bashkëpunimi e çdo partie shqiptare me të. E ajo, nuk ka ndonjë qëllim ta thuash bash programatik, pos kthimit të saj në pushtet.

Por a e kemi kujtesën aq të shkurtër?

Nëse ASH-ja e ka akuzuar deri tash për disa fenomene negative pushtetin e LSDM-së dhe BDI-së(temat tashmë të njohura), shtrohet pyetja, përse iu sulën të gjitha partitë, madje dhe vetë ASH-ja dhe Lëvizja Besa(unike e dikurshme) VMRO-së kur ishte në pushtet? Po për të njëjtat arsye apo jo?! Por, jo bash! Sepse, gjërat që dolën në shesh për pushtetin e VMRO-së kanë qenë shumë më të theksuara, që nga aferat korruptive qindra milionëshe(qindra milionëshe!), e deri te keqpërdorimi i pushtetit në të gjitha nivelet, duke hyrë edhe në përcjelljen e privatësisë së politikanëve, gazetarëve e qytetarëve të tjerë. Vallë u harruan këto? A nuk shkon kohë pas kohe lideri i VMRO-së në Budapest për ta takuar “kokën” e të gjitha këtyre mahinacioneve të pushtetit Gruevskin?  A nuk ishte Gruevski me politikat  e tij pengesë edhe pr hyrje në NATO e BE? Çka ka ndërruar te VMRO-ja prej asaj kohe, çka e bënë VMRO-në më të mirë se LSDM-në apo BDI-në?

Dallim ka, gjithsesi,  dhe këtu ka një përgjigje. Edhe te ky pushtet mund të gjenden keqpërdorime, por ata që kanë bërë diçka të tillë, po ashtu janë ulur në bankën e të akuzuarve, kurse në kohën e VMRO-së ata të pushtetit ishin me statusin e “arushave të mbrojtura”, siç thotë një fjalë popullore! Kurse burgjet mbusheshin me njerëz të opozitës dhe mbylleshin media ose për inatet e saj rrënoheshin objekte dhjetëra milionëshe.

Po kjo VMRO që nuk ka gjasë të jetë reformuar në shkallë që t’i besosh se do të jetë më e mirë se pushteti aktual, për momentin është në një udhëkryq politik që ndan rrugët me shqiptarët! Shqiptarët njëzëri janë për BE, ndërkaq VMRO-ja jo që është deklaruar kundër, por vepron pothuajse njësoj si E Majta ekstreme e Apasievit. Me bllokimin e ndryshimeve kushetutese për një çështje banale dhe beninje siç është futja e bullgarëve në kushtetutë(një hipokrizi e paparë, sepse pikërisht kjo parti gjithë këto vite shquhej për afërsi me Bullgarinë), ajo rrezikon rrumbullakimin e një procesi tejet të rëndësishëm për vendin, integrimi në BE, që në këtë moment iu shkon në favor forcave pro-ruse. Çka mund të fitojë në sytë e shqiptarëve një parti shqiptare me këto forca bashkë?!

Dhe së fundit, dilema: çka fiton ASH-ja në Qeveri?

Kjo është njësoj sikur kur Ilir Meta hyri në qeveri me Berishën dhe kur tha se ky është një projekt politik që i bashkoi për BE. Edhe ASH-ja, duke u rreshtuar kështu, jo vetëm që arrin një qëllim jetik për shqiptarët, por dhe ka një dozë pragmatizmi që realizon çdo parti kur hyn në pushtet, për këtë nuk ka nevojë për elaborim. E dyta, mund të jetë perspektiva e atij Fronti shumë të përfolur Fronti për Europë, që për shkak të realizimit të këtij qëllimi tash, mund t’i bashkojë të njëjtat parti edhe në një front të përbashkët parazgjedhor për pranverën e ardhshme. Nëse të gjitha partitë veç e veç mund të fitojnë diçka, në një front unik, ku nuk do të humbeshin votat nga metodologjia e numërimit sipas D’Hontit, do të fitonin edhe më shumë dhe mund të dalin fitues. Çështjet e anomalive përcjellëse të pushtetit, do t’i mbeten organeve të ndjekjes, sepse askush nuk mund të gëzojë imunitet, pasi në këtë pikë tashmë po punohet për reformim të gjyqësisë dhe futjes së vetingut.

Pra, kur të analizohen të gjitha aspektet, vërtet vijmë në përfundim se janë të pabaza parashikimet fataliste se ASH-ja më shumë mund të humbë se sa të fitojë nga hyrja në qeveri.

Story i mëparshëm

Shkëndija në Antalia do të përballet me Dinamo Kievin

Story i radhës

Kyçyk: Kthimi i vetos do të ishte gabim shumë i madh

Të fundit nga