ANALIZË: Lista e re e borxhlinjve, Tetova me më shumë se 14,3 milionë euro dhe Gostivari me pothuajse 8 milionë euro borxh

min lexim

Për vetëm 3 muaj borxhi i brendshëm i shtetit u rrit për pothuajse 6,5 milionë euro. Në fund të tremujorit të tretë të këtij viti, detyrimet e prapambetura, por të papaguara të ndërmarrjeve publike, ministrive, shëndetësisë, arsimit, kulturës dhe komunave arritën në 405.700.000 euro. Në pjesën e parë të “Analizës”, ofrojmë një pasqyrë të borxhit në të cilën gjenden komunat dhe ndërmarrjet publike nën kompetencën e autoriteteve lokale, shkruan analiza javore ekonomike e Portalb.mk.

Disa nga komunat e rritën borxhin për tre muaj…

Komuna e Tetovës deri në fund të muajit shtator ka raportuar detyrime të prapambetura, por të papaguara në vlerë prej 14.340.000 euro, dhe për tre muaj borxhi është rritur për rreth 240.000 euro. Sipas shumës së borxhit, kjo komunë renditet në vendin e 4-të të lartë në listën e re të borxhlinjve të Ministrisë së Financave. NPK Tetovë ka raportuar fatura të prapambetura, por të papaguara në vlerë prej 5.400.000 euro. Borxh prej 378 mijë eurosh ka raportuar edhe Universiteti Shtetëror i Tetovës, por borxhe kanë edhe shkollat fillore dhe të mesme në kuadër të kësaj komune. Spitali i Përgjithshëm i Tetovës ka detyrime të papaguara në vlerë prej 282.200 euro.  Në listën e borxhlinjve janë edhe shkollat e mesme dhe fillore të kësaj komune.

Komuna e Gostivarit fundin e tremujorit të tretë e përfundon me një borxh prej 7.812.000 euro, e po ashtu edhe kjo komunë e rriti borxhin për mbi 300.000 euro vetëm për tre muaj. Gostivari është renditur në vendin e 9-të sipas shumës së detyrimeve. Borxhi i NPK “Komunalec” – Gostivar arrin në 3.300.000 euro, NP për parkingje publike ka borxh prej 65.500 euro. NP “Komunalec” – Gostivar ka fatura të papaguara në shumë prej 1.200.000 euro.

Borxhet e prapambetura dhe të papaguara të komunës së Kërçovës arrijnë në 1.500.000 euro. Në territorin e kësaj komune ekziston një nga institucionet shëndetësore me borxh më të madh – Spitali i Përgjithshëm i Kërçovës është në vendin e 6-të në listën e borxhlinjve me detyrime të papaguara në shumën prej 11.343.000 euro. Ndërsa borxhe kanë edhe Shtëpia e Shëndetit në Kërçovë, shkollat fillore dhe të mesme, si dhe Fakulteti Juridik në Kërçovë.

Komuna e Strugës në fund të muajit shtator ka pasur borxh në vlerë prej 3.041.000 euro, ndërsa me borxh prej 3.038.000 euro është edhe Ndërmarrja Publike “Ujësjellësi dhe Kanalizimet” Strugë. Spitali i Përgjithshëm i Strugës ka raportuar detyrime të papaguara në vlerë prej 2.450.000 euro, si dhe Enti i Nefrologjisë me shumë të borxhit prej 1.344.000 euro. Një tjetër ndërmarrje publike nga kjo komunë ka borxh të madh – NP “Komunalno” Strugë, e cila ka fatura të papaguara në vlerë prej 731.000 euro. Në territorin e kësaj komune, përveç shkollave fillore dhe të mesme, borxhe kanë edhe burgu i Strugës, manifestimi “Mbrëmjet strugane të poezisë – Strugë”, Gjykata Themelore – Strugë, Prokuroria Publike – Strugë.

Komuna e Çairit në fund të tremujorit të tretë kishte borxh prej 1.064.000 euro. Në territorin e kësaj komune borxhin më të madh prej 511.000 euro e ka Spitali Gjinekologjik – Çair, ndërsa borxhe kanë dhjetëra shkolla fillore dhe të mesme që gjenden në territorin e kësaj komune të Shkupit.

Edhe komuna e Sarajit me detyrime të prapambetura, por të papaguara në vlerë prej 1.700.000 euro gjendet në listën e re të borxhlinjve. Në nivel lokal borxhe kanë raportuar edhe pesë shkolla fillore si dhe shkolla e mesme e qytetit të Shkupit – Saraj.

Në listën e borxhlinjve gjenden edhe komuna e Haraçinës me detyrime të prapambetura, por të papaguara në vlerë prej 835.000 euro, komuna e Dibrës me borxh prej 1.100.000 euro, komuna e Bogovinës me 416.000 euro, ndërsa fatura të prapambetura, por të papaguara në shumën prej 1.030.000 ka edhe komuna e Likovës.

Në vend të lartë në listën e re të borxhlinjve ka edhe komuna të tjera, kështu që në pesëdhjetë vendet e para me borxhe gjendet edhe komuna e Ohrit me fatura të prapambetura, por të papaguara në shumën prej 6,3 milionë euro, komuna e Dellçevës me një shumë prej 3,1 milionë euro, komuna e Prilepit ka borxh prej 2,0 milionë euro dhe komuna e Vrapçishtit me shumë të borxhit prej 1,7 milionë euro.

Në pjesën e dytë të “Analizës” do të publikojmë të dhëna për borxhet në nivel qendror – të shëndetësisë, të ndërmarrjeve publike, të ministrive.

Burimi: portalb.mk

Story i mëparshëm

Dimitrievski: Nuk shoh problem në amendamentet kushtetuese nëse ka reciprocitet edhe nga pala bullgare

Story i radhës

Sot hidhet shorti i fazës 1/16 të Ligës së Kampionëve

Të fundit nga