ANALIZË: “Kaos çmimesh” – në disa markete vaji i gatimit dhe buka më të lira, ulje çmimesh pritet edhe për produkte të tjera!

October 31, 2022
min lexim

Qeveria ka vendosur – për kompanitë nga industria ushqimore, çmim më të ulët të energjisë elektrike, që duhet të rezultojë me ulje të çmimit të produkteve ushqimore bazë. Ndonëse efektet e para priten nga 1 dhjetori, këto ditë në disa tregje vërehen luhatje çmimesh – produkte të së njëjtës markë shiten me çmime të ndryshme, buka dhe vaji i gatimit në disa dyqane tashmë janë me çmim më të ulët, shkruan analiza javore ekonomike e Portalb.mk.

Çmime “të fryra” (jo)realisht… 

Qytetarët me shporta gjysmë të zbrazëta, zgjedhin në mënyrë selektive se çfarë do të blejnë. Në tregjet botërore, çmimet e produkteve ushqimore bazë dhe lëndëve të para kanë pësuar rënie për disa muaj me radhë. Këto janë dy faktorët kryesorë për shkak të të cilëve janë ulur çmimet e disa produkteve në disa markete.

“Portalb”-i bëri një xhiro në disa markete të rrjeteve më të vizituara tregtare. E njëjti markë vaj për gatim në një shitore kushton 155 denarë për litër, e në një tjetër shitet për 129 denarë. Drejtuesit e marketeve na konfirmuan se çmimi i vajit të gatimit është korrigjuar duke u zvogëluar.

“Po, është e vërtetë, kemi marrë njoftim për të ulur çmimin e vajit në 129 denarë”- na thanë nga marketi.

Edhe buka ka një çmim të ri më të ulët në disa dyqane.

“Këtë bukë që e kam paguar 51 denarë, tash e kam blerë për 41 denarë, dhe u befasova nga çmimi” – thotë një banor i Karposhit të Shkupit.

Në tregje të ndryshme, të njëjtat produkte shiten me çmime të ndryshme, gjë që krijon një imazh për kaos të çmimeve.

“Nuk e kam vënë re që vaji i lulediellit të cilin e përdorim çdo ditë në shtëpi ka një çmim më të ulët, përveç nëse është në shitje me zbritje. Ja p.sh. kam paguar 107 denarë për 700 ml me zbritje. Ndërsa një litër në një market shitej për 155 denarë. ” – thotë një banor i Aerodromit të Shkupit.

Çmimet e produkteve ushqimore bazë duhet të ulen nga 1 dhjetori pasi Qeveria njoftoi zyrtarisht se 150 kompani nga industria ushqimore do të marrin çmim më të ulët dhe të garantuar të energjisë elektrike. Sipas përllogaritjeve, çmimi i bukës, miellit, vajit për gatim, qumështit duhet të ulet për rreth 10 për qind.

Ilustrim

A vijnë “vonë” zbritjet e çmimeve duke qenë se tregjet botërore kanë shënuar rënie të çmimeve të produkteve ushqimore bazë për disa muaj rresht?

Sinjalet nga bursat botërore dhe vlerësimet e FAO-s tregojnë se çmimet e produkteve ushqimore bazë dhe lëndëve të para, si dhe çmimi i energjisë elektrike dhe gazit, gjatë muajve të fundit kanë shënuar rënie.  Tendenca e uljes së çmimeve në tregjet botërore ka vazhduar edhe në muajin shtator, në bazë mujore mishi është më i lirë për 0,5%,  sheqeri për 0,7% e po ashtu ulet edhe çmimi i vajit bimor.

Përkundër këtyre sinjaleve, analizat e Bankës Popullore vazhdojnë të tregojnë se Maqedonia, si vend i varur nga importi, ende është nën “goditjen” e presionit të inflacionit.

“Rishikimet në rritje të inflacionit janë si rezultat i pritjeve për inflacion më të lartë midis të gjithë partnerëve tanë të importit, me ç’rast kontributin më të madh për dy vitet e fundit e kanë Gjermania dhe vendet e rajonit, Serbia, Kroacia dhe Sllovenia” – thotë BPM-ja.

Çmimet në vend tashmë kanë arritur majat historike, edhe pse marzhat ishin të ngrira për disa muaj, u kufizua edhe eksporti i grurit dhe miellit dhe u hoqën edhe taksat doganore për qumështin dhe ajkën.

“Rritja e çmimeve të ushqimeve është kryesisht rezultat i rritjes së çmimeve në kategoritë “qumësht, djathë dhe vezë”, “bukë dhe produkte e drithërave” dhe mishit, pavarësisht masave të marra për të zbutur presionet e çmimeve që lidhen me kufizimin e marzhave tregtare te një pjesë e këtyre produkteve, për të kufizuar eksportin e grurit dhe miellit dhe heqjen e taksës doganore për importin e qumështit dhe ajkës”- thekson Banka Popullore.

Pavarësisht këtyre masave, çmimet u rritën, për disa produkte madje edhe për 50%, pas së cilës u shtrua çështja e përfitimeve të mundshme në kohë krize dhe e manipulimeve me çmimet.

Inflacioni “ushqehet” nga rritja e rrogave dhe pensioneve…

Inflacioni i lartë dyshifror në vend është nxitur jo vetëm nga çmimet, por edhe nga rritja e rrogave. Në Maqedoni tashmë është rritur rroga minimale, që shkaktoi edhe rritjen e rrogave të tjera, në shtator u rritën edhe pensionet për 6,8%.

“Të anketuarit gjithashtu konsiderojnë se rritja e paralajmëruar e rrogave dhe pensioneve, si dhe intensifikimi i krizës së furnizimit me energji, mund të çojë në presione të mundshme shtesë për inflacion. Nga ana tjetër, masat e marra nga hartuesit e politikës monetare dhe fiskale mund të zbutin rritjen e çmimeve”- theksojnë ekonomistët në anketën e fundit të BPM-së.

Optimizmi paralajmërojnë vlerësimet se për dy vitet e ardhshme pritet inflacion njëshifror, por edhe këto vlerësime janë gjithashtu të “dyshimta” për shkak të pasigurisë së kohëzgjatjes së konfliktit ushtarak në Ukrainë. Ministria e Financave bëri të ditur se vitin e ardhshëm pritet inflacion njëshifror, por megjithatë i kushtëzuar nga kriza energjetike dhe ekonomike.

Burimi: portalb.mk

MARKETING

MARKETING

RENT A CAR

MARKETING

Story i mëparshëm

Nëse trupit i mungon kolagjeni, këto janë shenjat që ju lajmërojnë

Story i radhës

Brazil: Majtisti Lula da Silva fiton ndaj presidentit Jair Bolsonaro të së djathtës së skajshme

Të fundit nga

Goditje e bujshme e Barcelonës

Barcelona duket se ka bërë një goditje të bujshme teksa ka siguruar firmën e një lojtari të cilin e kërkonin të gjithë klubet e mëdha të Europës. Gazetat katalanase ”Sport” dhe :”Mundo
ShkoLartë