Analisti politik Jusuf Thaçi është skandalizuar nga deklarata e shefit të diplomacisë së BE-së, Josep Borell, i cili dje ka kritikuar Kosovën për arrestimet në veri dhe për parakalimin e FSK-së në jug.
Ai ka vlerësuar se qëndrimi i kryediplomatit evropian është skandaloz.
“Deklaratë skandaloze e z. Borell. Policia e Kosovës po arreston të dyshuar për sulme ndaj KFOR-it, ndaj Policisë dhe ndaj gazetarëve, për të cilët ka fakte e prova të forta (foto e video). Arrestimet po bëhen në përputhje me të gjitha procedurat ligjore. Në anën tjetër, FSK-ja po parakalon në territorin e Kosovës, pra në vendin e vet. Ku e ka hallin z. Borell? Çka nuk do të tolerojë ai? Arrestimin e kriminelëve? Parakalimin e FSK-së brenda Kosovës?”, ka shkruar ai në profilin e tij në “Facebook”.
Nëse ky është qëndrim i BE-së, ka thënë ai, Kosova duhet të tërhiqet nga procesi i dialogut.
“Shpresoj që ky qëndrim i z. Borell nuk është edhe qëndrim i BE-së! Nëse po, atëherë Kosova duhet të tërhiqet urgjentisht nga i ashtu-quajturi dialog i ndërmjetësuar nga BE”, ka shkruar Thaçi.