Ndërsa vazhdojnë luftimet në Ukrainë, analistët thonë se presidenti rus, Vladimir Putin, synon rrëzimin e qeverisë properëndimore ukrainase dhe zëvendësimin e saj më një qeveri kukull.
Angela Stent, këshilltare e lartë në Qendrën për Studime Euro-aziatike, Ruse dhe të Evropës Lindore në Universitetin Georgetoën, tha se pret që hapat e ardhshëm të presidentit Putin do të jenë forcimi i dy rajoneve të Ukrainës Lindore, që ai i njohu si shtete të pavarura dhe vazhdimi i operacioneve ushtarake për të ndryshuar pushtetin në Kiev.
“Ata duan një qeveri në Kiev që do të thoshte se nuk do të jetë pjesë e NATO-s dhe e Bashkimit Evropian, por do të jetë e nënshtruar ndaj Rusisë”, tha zonja Stent.
“Pra, kur Putini e fton presidentin Zelenskyy për dialog në Minsk, ai e fton atë të dorëzohet ose të pranojë kushtet e tmerrshme të tij, apo rusët do ta heqin qafe atë në një mënyrë ose në tjetrën, siç vranë presidentin e Afganistanit në dhjetor të vitit 1979, ose atë që po shohim në Bjellorusi dhe Kazakistan ku Putini ka vendosur marionetat e tij”, tha Anders Åslund, bashkëpunëtor i lartë i Qendrës për Euro-azinë në Këshillin Atlantik.
Zonja Stent thotë se ka pak mundësi për ta ndihmuar Ukrainën nga jashtë ndërsa nënvizon se perëndimi duhet të forcojë fqinjët e Ukrainës që janë në NATO.
“Ne e shohim që tashmë po ndodhë, por përndryshe nuk ka shumë për të bërë, sepse e dimë që Shtetet e Bashkuara dhe NATO-ja, nuk do të përfshihen në një luftë me Rusinë që po zhvillohet në tokën ukrainase. Pra, ka një kufi për atë që dikush mund të bëjë”, tha zonja Stent duke nënvizuar se mundësitë për t’i ofruar ndihmë ushtarake Ukrainës varen nga situata në terren dhe nuk është një punë e lehtë.
Por, zoti Aslund thotë se ukrainasit nuk janë ndihmuar si duhet dhe nuk janë armatosur për t’u përballur me forcat ruse, prandaj është e kuptueshme që ata ndjehen të tradhtuar.
“Plotësisht e kuptueshme. Gjëja më thelbësore është se perëndimi duhet të kishte dhënë shumë armë dhe duhet ta kishte bërë këtë tashmë që më 2014-tën, atëherë ndoshta kjo nuk do të kishte ndodhur”, tha zoti Aslund.
Ndërsa bota perëndimore dënoi me forcë sulmin mbi Ukrainën, Kina refuzoi ta quaj atë një pushtim. Zonja Stent beson që presidenti rus Putin, nuk do ta bënte këtë pa e kuptuar se kishte mbështetjen e Kinës.
“Dua të them, padyshim që ata po përgatiteshin për këtë pushtim prej muajsh. Por fakti që ai shkoi në Pekin dhe u takua, me presidentin Xi Jinping, ndonëse nuk e dimë qartë se çfarë ndodhi në takimin e tij, por ai duhet të ketë marrë premtime për mbështetjen e Kinës ashtu siç Kina mbështeti Rusinë në vitin 2014, pas aneksimit të Krimesë”.
Shtetet e Bashkuara, Bashkimi Evropian dhe Britania vendosën sanksione të ashpra, përfshirë edhe bllokimin e pasurive të presidentit Vladimir Putin dhe Ministrit të Jashtëm rus Sergei Lavrov, në një akt të pashembullt për ta detyruar ndërprerjen e sulmit mbi Ukrainën. Analistët thonë se çështja është kur do të ndjehet Putini i detyruar për një gjë të tillë./VOA