Analistët: Mickoski e di vetëm kauzën e izolimit, po mban peng synimet strategjike të shtetit

July 12, 2023
min lexim

Pas pranimit të propozimit francez, beteja kundër ndryshimeve në kushtetutë është e kotë, për faktin se shteti është angazhuar të zbatojë të njëjtën gjë. Çdo dështim në procesin e ndryshimit të kushtetutës do t’i shkruhet shtetit, i cili do t’i hapë rrugën një të ardhmeje të paparashikueshme – shpesh të cilësuar si vakum, thotë politikologu Ivo Rangeloviq, duke komentuar vendimin e opozitës së udhëhequr nga VMRO DPMNE që ta ndërpresë komunikimin me qeverinë për ndryshimet kushtetuese.

“Edhe nëse ka argumente të arsyeshme kundër ndryshimit të kushtetutës, ato bien nën hijen e kapacitetit që ato të jenë vlerë e shtuar, pra të rezultojnë në integrim në BE. Besoj se edhe pushteti edhe opozita i kanë duart e lidhura sa i përket ndryshimeve kushtetuese, kështu që shoqëria për momentin po humbet vetëm kohë”, theksoi Rangelovic në një prononcim për “Frontline”, përcjell PRESSonline.al

Gazetari dhe komentuesi politik Urim Saliu vlerëson se pavarësisht vendimit të pamatur të opozitës VMRO-DPMNE për të ndërprerë komunikimin me pushtetin, në fund do të reflektojnë dhe do të kalojnë ndryshimet e nevojshme kushtetuese që vendi të ecë përpara, pa pengesa në rrugën drejt BE-së.

“Lideri i tyre Mickoski përfundimisht do ta humbasë betejën me popullin e tij, ai nuk mund t’i mbajë peng synimet strategjike të shtetit. Mickoski nuk do të jetë në gjendje të gjenerojë pafund kriza politike, kjo do të lodhë një ditë elektoratin e tyre. Ata janë të lodhur nga ideologjitë e prodhuara nga një lider që njeh vetëm kauzën e izolimit dhe asgjë tjetër. Maqedonia e Veriut nuk ka alternativa të tjera përveç rrugës drejt BE-së, ndërsa liderët nacionalistë nuk kanë vend në skenën politike të vendit”, tha Saliu për “Frontline”, përcjell PRESSonline.al

Nga ana tjetër, “aksioni” diplomatik vijon në drejtim të shqyrtimit të mundësisë së pranimit të ndryshimeve kushtetuese nga opozita. Kreu i diplomacisë evropiane, David Geer, bëri të ditur se miratimi i ndryshimeve kushtetuese, pa vonesa të mëtejshme, do të çojë në mbajtjen e Konferencës së dytë Ndërqeveritare dhe fillimin e negociatave paraprake të anëtarësimit. Për këtë, thotë ai, nevojiten debate dhe argumente të hapura në Kuvend pa paragjykime nga e kaluara dhe pa frikë për të ardhmen.

Ambasadori spanjoll Jose Luis Lozano García, vendi i të cilit ka marrë presidencën e Bashkimit Evropian që nga fillimi i muajit, tregoi se Spanja ofron mbështetje të madhe për zgjerimin e Unionit dhe vlerëson përpjekjet e vendit në avancimin e rrugës së integrimit evropian.

“Konfirmoj mbështetjen e Spanjës për anëtarësimin e vendit në BE dhe Spanja po udhëheq forumin ministror për drejtësi të BE-së dhe Ballkanit Perëndimor që do të mbahet në Shkup më 26 dhe 27 tetor. Përgatitjet për këtë janë duke u zhvilluar”, tha ambasadori i Spanjës, Jose Luis Lozano Garcia.

Kryetari i Komisionit Parlamentar për Çështje Evropiane tha se ndryshimet kushtetuese janë pjesë e kornizës së negociatave dhe obligim që Qeveria e ka pranuar. Ai shton se nevojiten vendime të guximshme dhe kompromise të cilat nuk janë gjithmonë të njohura.

“Procesi ynë kaloi në momente të padrejta dhe jo në favor të vendit tonë, por ky është realiteti. Tani jemi përballur me këtë çështje”, tha kryetari i Komisionit për Çështje Evropiane, Arbër Ademi.

Ndryshimet kushtetuese duhet të miratohen deri në fund të procesit të skriningut.

MARKETING

MARKETING

RENT A CAR

MARKETING

Story i mëparshëm

Policia me kampanjë për mbrojtjen e fëmijëve në internet

Story i radhës

Interi po shqyrton dy portierë për të zëvendësuar Onanën dhe Handanoviqin

Të fundit nga

ShkoLartë