Trajneri i Manchester United, Ruben Amorim, raportohet se ka ndarë mendjen për dy lojtarë që është i gatshëm t’i shesë në janar pas një fillimi të vështirë të aventurës së tij në ‘Old Trafford’.
Shpresat ishin të mëdha se ardhja e trajnerit të ri do të ndikonte menjëherë në rezultatet e klubit pasi Amorim e zëvendësoi Erik Ten Hag.
Por ish-trajneri i Sporting Lisbonës i ka gjetur gjërat më të vështira se sa kishte pritur që prej se u bë pjesë e futbollit anglez.
Pasi u ndal me barazim 1-1 nga Ipswich Town në ndeshjen e tij të parë në Ligën Premier, United u desh ta përmbys rezultatin për të fituar me rezultat 3-2 ndaj Bodo/Glimt.
Ata pastaj ‘shkatërruan’ Evertonin me rezultat 4-0 në shtëpi, para se të pësojnë dy humbje radhazi ndaj Arsenalit dhe Nottingham Forest.
Në prapaskena, Amorim duket se po konsideron që t’i heq qafe disa lojtarë gjatë janarit teksa po synon të lë shenja në skuadër.
GiveMeSport ka raportuar se Amorim ka identifikuar Christian Eriksen dhe Antony si dy lojtarë me përfitime të mëdha të cilët duhet të largohen sa më parë.
Dyshja në total fitojnë 350 mijë euro në javë në ‘Old Trafford’ dhe thuhet se drejtuesit e klubit janë të vetëdijshëm që largimi i tyre do të lehtësonte presionin për paga.
Eriksen të cilit i skadon kontrata në verë, nuk është pjesë e planeve afatgjate të Amorim, teksa Antony ka dështuar që ta bind portugezin se ia vlen ta mbajë në skuadër.
Burimi: botasot.info