Qëndrimi i DIHA-s në lidhje me Projektligjin “Për amnistinë fiskale dhe penale të subjekteve që bëjnë deklarim vullnetar të pasurive”.
DIHA (Shoqata Gjermane e Industrisë dhe Tregtisë në Shqipëri) e vlerëson shumë përpjekjen dhe vullnetin e Qeverisë Shqiptare për reduktimin e ekonomisë informale nëpërmjet legalizimit të mjeteve monetare dhe aseteve që mundëson ky ligj.
Ne mendojmë qe ky ligj duhet të ishte pjesë e një pakete ligjore gjithëpërfshirëse, e cila do të synonte efikasitetin dhe modernizimin e administratës tatimore me qëllim reduktimin e evazionit fiskal. Këto masa jo vetëm do të rritnin të ardhurat në buxhetin e shtetit por njëkohësit do të nxitnin konkurrencën në tregun shqiptar. Aprovimi i këtij ligji të vetëm do të realizonte disa të ardhura të shpejta në buxhetin e shtetit në terma afatshkurtër, por në terma afatgjata do të sillte gjithashtu me vete efekte negative, si nxitja e bizneseve formale për të kaluar në informalitet me shpresën e një amnistie të dytë fiskale.
Një pikë tjetër shumë e rëndësishme është “Tatimi i posaçëm” në nenin 16 të Projektligjit. Një tatim kaq i ulët (5%, 7% dhe 10%) për formalizimin e parave dhe aseteve të pa deklaruara, jo vetëm që është i pa drejtë kundrejt bizneseve që kanë paguar detyrimet e tyre në kohën e përcaktuar nga legjislacioni në fuqi me një përqindje shumë herë më të lartë, por njëkohësisht do të nxisë informalitetin në të ardhmen.
Gjithashtu, këto pika janë parashtruar nga DIHA edhe gjatë konsultimeve për projektligjin “Për amnistinë fiskale dhe penale të subjekteve që bëjnë deklarim vullnetar të pasurive” të prezantuar në vitin 2020 nga Ministria e Financave dhe Ekonomisë, të cilat nuk janë reflektuar në projektligjin e ripunuar.