Amerikania Brittney Griner pranon fajësinë për akuzat mbi drogën në Rusi

min lexim

Basketbollistja amerikane Brittney Griner pranoi fajësinë të enjten për akuzat e lidhura me drogën në ditën e dytë të gjyqit ndaj saj në Rusi. Nëse shpallet fajtore ajo mund të dënohet me deri në 10 vjet burg.

Pranimi i papritur i fajit nga ana e basketbollistes së ekipit Phoenix Mercury dhe fituese dy herë e medaljes së artë olimpike erdhi mes thirrjeve në rritje ndaj Uashingtonit që të bëjë më shumë për të siguruar lirimin e saj gati pesë muaj pas arrestimit të saj, mes tensioneve në rritje midis Shteteve të Bashkuara dhe Rusisë mbi Ukrainën.

Një diplomat i lartë rus tha më herët se Moska nuk mund të merrte asnjë veprim për çështjen e basketbollistes amerikane derisa të mbyllet gjyqi. Pranimi i fajësisë nga ana e saj mund të jetë një përpjekje nga ajo dhe ekipi i saj ligjor për të përshpejtuar procedurat gjyqësore.

31 vjeçarja Griner, u ndalua në aeroportin Sheremetyevo të Moskës ndërsa kthehej për të luajtur basketboll në Rusi dhe policia tha se vaj kanabisi në bagazhin e saj.

Duke folur nëpërmjet një përkthyesi, zonja Griner i tha gjykatës se ajo nuk kishte pasur qëllim të kryente një vepër penale dhe kishte vepruar pa dashje sepse kishte paketuar për në Moskë me nxitim. Gjyqi u shty për më 14 korrik.

Zonja Griner theksoi “se ajo e kishte kryer këtë veprim nga neglizhenca, pa dashje,” u tha gazetarëve avokatja e saj, Maria Blagovolina, para gjykatës pranë Moskës pas pranimit të fajit.

“Ne sigurisht shpresojmë në mirëkuptimin e gjykatës,” tha zonja Blagovolina. “Duke marrë parasysh të gjitha rrethanat e çështjes, duke marrë parasysh personalitetin e klientes sonë, ne besojmë se pranimi i fajit sigurisht që duhet të merret parasysh.

Ajo shtoi se dëshmitarët e tjerë të mbrojtjes do të merren në pyetje në një seancë të mëvonshme.

Elizabeth Rood, zëvendës shefe e misionit të Ambasadës amerikane në Moskë, u tha gazetarëve pas seancës se ajo foli me zonjën Griner në sallën e gjyqit dhe ndau me të një letër të dërguar nga Presidenti Joe Biden.

“Dëshiroj të theksoj sërish angazhimin e qeverisë së Shteteve të Bashkuara në nivelin më të lartë për të sjellë në shtëpi shëndoshë e mirë zonjën Griner dhe të gjithë qytetarët amerikanë të ndaluar pa të drejtë, si dhe angazhimin e Ambasadës amerikane në Moskë për t’u kujdesur dhe mbrojtur interesat e të gjithë qytetarëve amerikanë të ndaluar ose të burgosur në Rusi”, tha diplomatja Rood.

Zëvendësministri i Jashtëm rus Sergei Ryabkov reagoi ndaj cilësimit nga Shtetet e Bashkuara të arrestimit të zonjës Griner si “i padrejtë”, duke paralajmëruar se “përpjekjet e palës amerikane për të bërë zhurmë në public nuk ndihmojnë zgjidhjen praktike të çështjeve.”

Shtëpia e Bardhë tha se zoti Biden telefonoi bashkëshorten e zonjës Griner, Cherelle Griner të mërkurën për ta siguruar se ai po bën gjithçka që mundet për të siguruar lirimin e saj sa më shpejt të jetë e mundur.

Uashingtoni nuk ka thënë publikisht se cila është strategjia amerikane për këtë çështje dhe SHBA mund të ketë pak ndikim ndaj Moskës për shkak të armiqësive të forta mbi veprimet e saj në Ukrainë. Departamenti i Shtetit e ka caktuar çështjen e zonjës Griner nën mbikëqyrjen e të dërguarit të posaçëm presidencial për çështjet e pengjeve./VOA

GAZETA.MK

Story i mëparshëm

“Djegi krejt” – Fifi e Gjiko publikojnë këngën e re

Story i radhës

Marigona, Arlinda dhe Mirela vizitojnë kampin në Gjakovë

Të fundit nga