Amerikanët janë bërë gati të ndjekin finalen e futbollit amerikan Super Bowl, ku përballet ekipi Rams i Los Anxhelosit dhe ekipi Bengals i Cincinnatit. Siç njofton nga Los Anxhelosi korrespondenti i Zërit të Amerikës, Mike O’Sullivan, finalja Super Bowl është pothuajse një festë kombëtare në Amerikë, ku gërshetohen sporti dhe argëtimi.
Ekipet po bëhen gati.
Stadiumi SoFi që u inaugurua vetëm një vit e gjysëm më parë do të mirëpresë 70 mijë tifozë të futbollit amerikan.
Zyrtarët thonë se spektatorët duhet t’u përmbahen rregullave për COVID-in, përsa i takon vaksinimit, testimit dhe mbajtjes së maskave.
Mjediset e jashtme po bëhen gati për festimet e Super Bowl-it duke iu përmbajtur kufizimeve të rrepta.
Dhjetëra milionë amerikanë do ta ndjekin finalen nëpërmjet televizionit.
Një analist sportiv thotë se njerëzit po e presin finalen Super Bowl pavarësisht nëse jenë tifozë apo jo.
“Në Shtetet e Bashkuara është praktikisht festë kombëtare. Është bërë jo vetëm një ditë feste për futbollin, por edhe për t’u argëtuar”, thotë Jeff Fellenzer, i cili jep mësim për sportet në Universitetin e Kalifornisë së Jugut.
Në pushim të ndeshjes do të ketë pjesë muzikore nga Eminem, Snoop Dogg, Dr. Dre, Mary J. Blige dhe Kendrick Lamar.
Dhe interesimi i njerëzve nuk përfundon këtu.
“Megjithëse mund të mos ju interesojnë shumë ekipet finaliste, njerëzit janë të interesuar për reklamat”, thotë zoti Fellenzez.
Krijimtaria për reklamat ia kalon edhe prodhimeve të Hollivudit.
“E diela e Super Bowl-it për industrinë e reklamave është si mbrëmja e çmimeve Oskar për industrinë e filmave. Është mbrëmja më e madhe e vitit. Të djelën e finales Super Bowl shohim reklamat më të mira nga industria e reklamave”, thotë Robert Kolt, profesor për marketingun dhe marrëdhëniet me publikun në Universitetin e Miçiganit.
Është segmenti më i ndjekur dhe më i shtrenjtë i televizionit amerikan.
“Këtë vit, kostoja për 30 sekonda reklamë gjatë Super Bowl-it mund të arrijë deri në 7 milionë dollarë”, thotë Jeannie Poggi, nga kompania e marketingut “Advertising Age”.
Kostoja e prodhimit dhe transmetimit të këtyre reklamave mund t’ia kalojë kostos së një filmi të plotë.
“Nëse keni siguruar dy minuta gjatë pushimit të ndeshjes, kostoja arrin lehtësisht në 25 milionë dollarë”, thotë zoti Kolt.
Janë edhe miliona dollarë fitime nga tregtia e mallrave, të cilat kontrollohen vazhdimisht nga agjentët doganorë për të diktuar prodhimet false.
Për tifozët, është një festë ku mblidhen së bashku me familjen. Ata që kanë mundësinë të blejnë bileta prej mijëra dollarësh, e shohin ndeshjen në stadium.
Organizimi i finales së futbollit amerikan është i rëndësishëm për qytetin Los Anxhelos, thotë një legjendë e sportit që u rrit në këtë zonë.
“Është shumë e rëndësishme për komunitetin, aq më tepër tani që luan edhe ekipi i tyre LA Rams”, thotë Serena Williams, lojëtarja e tenisit me famë botërore.
Ekipi LA Rams luajti për herë të fundit në finalen Super Bowl në vitin 2019, dhe humbën përballë ekipit New England Patriots, në lojën e zhvilluar në qytetin Atlanta.
Ekipi tjetër, Cincinnati Bengals, nuk ka luajtur në finale që nga vitet 1980-të, dhe kjo i tërheq edhe më fort spektatorët e finales Super Bowl./VOA