Ambasadorja e SHBA-së në Shqipëri, Yuri Kim ka marrë sot pjesë në aktivitetin online të organizuar nga Departamenti i Historisë pranë Fakultetit Histori-Filologji i Universitetit të Tiranës.
Lajmi bëhet i ditur nga Departamenti i Historisë pranë Fakultetit të Historisë e Filologjisë, UT, i cili njofton se sot në History Lab 6 patën një mike të veçantë dhe të nderuar, ambasadoren e SHBA në Shqipëri, Yuri Kim.
Demokracia i përket qytetarëve! Ky ishte një ndër argumentet kryesorë mbi të cilin u zhvillua diskutimi i sotshëm me ambasadoren Kim, që kishte në fokus të tij, 100-vjetorin e marrëdhënieve diplomatike Shqipëri-SHBA.
Ambasadorja Kim u ndal konkretisht në shtjellimin e marrëdhënieve SHBA-Shqipëri nga këndvështrimi i forcimit të demokracisë, dialogut, aleancës dhe sigurisë kombëtare të Shqipërisë në kuadër dhe të bashkëpunimit dypalësh në NATO, korrupsionit dhe forcimit të klimës së biznesit dhe ekonomisë në Shqipëri.
Ambasadorja theksoi se forcimi i demokracisë dhe ushtrimi i të drejtave të qytetarëve në demokraci janë të drejta ekskluzive të tyre dhe se ata që janë në pushtet kanë përgjegjësinë për të garantuar respektimin e këtyre të drejtave.
“Ne demokraci çdo qytetar është i barabartë para ligjit, dhe askush nuk është mbi të. Korrupsioni duhet goditur. Qytetarët shqiptarë kërkojnë shanse të barabarta. Janë qytetarët shqiptarë, ata që duhet të kërkojnë të drejtat e tyre dhe të mos lejojnë cenimin e lirive të tyre. Ky është vendi juaj, në të cilin ju do të jetoni, dhe do të projektoni të ardhmen tuaj. Nëse dikush vjen te ju për t’ju shitur votën, mos e votoni! Më thjeshtë se kaq! Demokracia i përket qytetarëve”, tha Kim.