Ambasadorja amerikane në Kombet e Bashkuara Linda Thomas-Greenfield tha sot se nuk duhet të ketë dyshim se Rusia synon të shpërbëjë Ukrainën dhe ta heqë plotësisht atë nga harta botërore.
Ajo i tha Këshillit të Sigurimit të OKB-së se SHBA po shohin shenja gjithnjë e më të qarta se Rusia po hedh bazat për një përpjekje për të aneksuar të gjithë rajonet ukrainase të Donetsk dhe Luhansk, si dhe rajonet jugore të Kherson dhe Zaporozhye.
Thomas-Greenfield shtoi se aneksimi përfshinte instalimin e zyrtarëve të paligjshëm në zonat nën kontrollin rus, me qëllim mbajtjen e referendumeve të rreme ose shpalljen e dekreteve të pranimit në Rusi.
Ajo deklaroi se ministri i Jashtëm rus Sergei Lavrov më parë madje kishte deklaruar se ky është qëllimi i luftës së Rusisë.