Ambasadorja amerikane në Shkup, Kate Marie Byrnes përmes një letre të hapur drejtuar opinionit në Maqedoni të Veriut, sugjeron që vendi të pranon propozimin francez për të filluar zyrtarisht rrugëtimin drejtë anëtarësimit në BE. Bërns në letrën e saj potencon dobitë financiare dhe demokratike që do t’i merr vendi pas fillimit të negociatave me BE-në.
“Pranimi i këtij propozimi do të thotë që më në fund do të keni një vend në tryezën e negociatave të anëtarësimit. I vendos vendet anëtare të BE-së, shumë prej të cilëve janë partnerët dhe aleatët tuaj të ngushtë, në dhomë me ju. Komisioni Evropian do të presë ekipet tuaja në Bruksel dhe do t’i dërgojë ekspertët e tyre të kalojnë kohë këtu në terren, duke kryer procesin e shqyrtimit dhe duke dëshmuar vetë për shoqërinë vibrante demokratike që ekziston këtu”, shkroi Kate Marie Byrnes, Ambasadore e SHBA-ve në Shkup.
Lidhur me përmbajtjen e propozimit, Bërns thotë se i njëjti njeh gjuhën dhe identitetin maqedonas, duke kritikuar Qeverinë se la shumë pak kohë për debat publik mbi të njëjtin.
“Çështjet që përmban propozimi janë teknike dhe ju janë paraqitur pa shumë kohë për debat publik. Ne e kuptojmë se nuk është ajo që do të kishit hartuar nëse do të kishit qenë në gjendje të diktoni termat në mënyrë të njëanshme-por ajo njeh gjuhën dhe identitetin maqedonas dhe i mbron ato nga sfidat e mëtejshme. Megjithëse mund të mos jetë i përsosur, propozimi bën atë që është e domosdoshme: mbron interesat tuaja thelbësore dhe nis negociatat dhe procesin dinamik të shqyrtimit”, shtoi Kate Marie Byrnes, Ambasadore e SHBA-ve në Shkup.
Letra e ambasadores amerikane vjen në kuadër të thirrjeve që po vinë nga vendet mike të Maqedonisë së Veriut dhe pak ditë para se propozimi francez të shqyrtohet në Kuvend në diskutim të përgjithshëm