Kryetarit të prezencës së OSBE-së në Shqipëri, ambasadori Michel Tarran mbajti fjalën sot në tryezën teknike “Zgjedhjet 2025: roli i medias në procesin zgjedhor – sfidat dhe mundësitë”, të organizuar me me Komisionin Qendror të Zgjedhjeve.
Ambasadori i OSBE: Me shumë kënaqësi ju përshëndes të gjithëve në këtë tryezë, të nderuar folës dhe pjesëmarrës, që, me ekspertizën dhe përkushtimin tuaj, pasuroni diskutimin tonë. Dua të shpreh mirënjohjen time të sinqertë ndaj Komisionit Qendror të Zgjedhjeve për bashkorganizimin e kësaj tryeze.
Kjo është tryeza e tretë teknike, që organizohet këtë vit, me synimin për të përmirësuar proceset zgjedhore në fusha që nuk kërkojnë domosdoshmërisht ndryshime ligjore. Diskutimet tona të mëparshme janë fokusuar tek edukimi i zgjedhësve dhe trajtimi i veprimeve të ndaluara gjatë zgjedhjeve. Duke parë përpara, planifikojmë që muajin e ardhshëm të organizojmë tryezën e katërt teknike, e cila do të trajtojë çështje që lidhen me fshehtësinë e votimit.
Demokracia funksionale mbështetet te qytetarët e mirinformuar. Përtej aktit të votimit, zgjedhjet e mirinformuara bazohen në kuptimin e procedurave zgjedhore, kuadrit institucional, platformave dhe vizionit të kandidatëve.
Në këtë kontekst, media, e quajtur shpesh si “shtylla e katërt”, luan një rol thelbësor si burimi kryesor i informacionit për shumicën e zgjedhësve. Ajo formëson opinionin publik dhe mund të ndikojë ndjeshëm në rezultatet e zgjedhjeve. Për shkak të kësaj përgjegjësie të madhe, është jetësore që media të respektojë standardet më të larta etike dhe profesionale gjatë mbulimit të proceseve zgjedhore.
Për të adresuar këto sfida, së bashku me partnerin tonë, KQZ-në, kemi organizuar sot këtë tryezë teknike si platformë për organet rregullatore, profesionistët në media dhe shoqërinë civile për të diskutuar mënyrat për përmirësimin e mjedisit mediatik dhe mbulimit të zgjedhjeve.
Raportet e OSBE/ODIHR-it vënë në pah sfidat e vazhdueshme në mbulimin mediatik të zgjedhjeve dhe fushatave, shumë prej të cilave janë sistematike dhe përsëriten. Sot, ekspertët ndërkombëtarë nga OSBE/ODIHR-i do ndajnë njohuri të vlefshme mbi këto çështje dhe do të ofrojnë rekomandimet e tyre për përmirësim.
Një zhvillim i dukshëm, përpara zgjedhjeve të ardhshme, është futja në përdorim i votimit nga jashtë, që u mundëson të drejtën e votës për herë të parë qytetarëve shqiptarë që jetojnë jashtë. Ky elektorat i zgjeruar paraqet sfida të reja, veçanërisht në shpërndarjen e informacionit të saktë dhe të plotë zgjedhor për votuesit nga jashtë. Mbulimi i drejtë, i pavarur dhe i plotë për këtë publik të zgjeruar nga media mbetet thelbësor.
Njëkohësisht, jemi të vetëdijshëm për presionet e jashtëzakonshme me të cilat përballet media në përpjekjet për të siguruar drejtësi, thellësi analitike dhe saktësi në raportim. Për të adresuar këto sfida, Prezenca e OSBE-së mbetet e palëkundur në nxitjen e rregullimit dhe të vetërregullimit të duhur të medias. Këto mekanizma janë thelbësorë për të garantuar që transmetuesit mediatikë të veprojnë në përputhje me standardet më të larta etike.
Për më tepër, jemi të angazhuar të përkrahim nisma që mbështesin gazetarët përmes vetërregullimit. Duke miratuar dhe respektuar një kod të besueshëm etike, profesionistët në media mund të ushtrojnë përgjegjësitë e tyre me integritet, duke u siguruar se puna e tyre mbështet tek e drejta e publikut për informim të drejtë dhe të saktë gjatë të gjithë procesit zgjedhor dhe më gjerë.
Përpara zgjedhjeve vendore të vitit 2023, Prezenca e OSBE-së, në bashkëpunim me Institutin Shqiptar të Medias, hartoi udhëzuesin në mbështetje të gazetarëve dhe të profesionistëve në media për raportimin zgjedhor. Për zgjedhjet e ardhshme të përgjithshme, planifikojmë të ndërtojmë mbi këto baza, ndërsa punojmë me profesionistë të mediave me seli në Tiranë e më gjerë për të përmirësuar më tej aftësitë e tyre të raportimit dhe mbulimit të fushatës.
Si partnere e hershëm i KQZ-së dhe institucioneve të tjera këtu të pranishme, Prezenca mbetet thellësisht e përkushtuar për të mbështetur përpjekjet tuaja në nxitjen e mbulimit profesional dhe të paanshëm mediatik gjatë procesit zgjedhor. Na konsideroni në këtë mision si partnerin tuaj më të ngushtë dhe nxitësin më të fuqishëm.
Ju uroj të gjithëve tryezë të frytshme dhe të suksesshme dhe pres me padurim të dëgjoj diskutimet e ndritura dhe mendjemprehta.
Burimi: botasot.info