“I impresionuar nga profesionalizmi dhe përkushtimi i ekipit të lokalitet arkeologjik të klasit botëror. Arkeologji”, ka shkruar Jeff Hovenier.
Ndërkaq, Parku Ulpiana gjendet rreth 12 kilometra në jug-lindje të Prishtinës, e pozicionuar në tokat që sot i takojnë fshatrave të komunës së Graçanicës, fshatrave Llaplla Sellës dhe lagjes Hajvalia në Prishtinë.
Çfarë shihet brenda parkut?
Ky Park Arkeologjik përfshin qytetin e lashtë të fortifikuar të Ulpianës prej rreth 120 hektarë, ku përbëhet nga tre sektorë.
Sektori i parë përfshin Portën Veriore, e cila ishte hyrja kryesore për në qytet, pjesë të ruajtura të rrugës, kanali për shkarkimin e ujërave, banjo publike romake, tempulli pagan dhe një bazilikë paleokristiane të fortifikuar.
Sektori i dytë i Parkut përfshin ‘Nekropolin Verior’ i cili ishte jashtë mureve fortifikuese të qytetit antik, në të cilin gjendeshin varrezat kryesore, që i përkasin kohës së sundimit romak dhe antikitetit të vonë.
Ndërsa në sektorin e tretë të Parkut gjendet rruga kryesore që e lidh portën lindore me atë perëndimore.
Në këtë sektor ishte i ndërtuar një kompleks i veçantë banimi me përmasa të mëdha që ngjason me vilë luksoze brenda qytetit antik dhe mendohet se ka qenë selia e kryepeshkopit të Ulpianës.
E gjithë zona ku gjendet ky Park, është një zonë me mjedis shumë të pastër dhe të mirmbajtur.