Edhe ambasadori i Gjermanisë në Kosovë, Jorn Rohde, ka paralajmëruar opozitën në raport me dialogun me Serbinë.
Ai ka thënë se nga dy subjektet kryesore opozitare pret që të jenë konstruktive lidhur me planin e BE-së për dialogun.
Në një prononcim për Radio Kosovën, diplomati gjerman ka bërë me dije se opozita nuk duhet ta shfrytëzojë Asociacionin për lojëra të brendshme politike.
“Personalisht, nga opozita pres përgjegjësi politike shtetërore dhe me këtë rast dua të potencoj edhe një herë se e gjithë bashkësia ndërkombëtare, në mënyrë të veçantë partnerët më të ngushtë të Kosovës, qëndrojnë fuqishëm prapa këtij propozimi. Prandaj, dua të shpresoj se opozita do të ketë sjellje konstruktive dhe këtë temë super politike të mos e shfrytëzojë për lojëra të brendshme politike ashtu siç kishte ndodhur në të kaluarën. Tani bëhet fjalë për të siguruar të ardhmen dhe këtu gjithkush ka përgjegjësinë e vetë politike, në mënyrë të veçantë opozita”, ka deklaruar Rohde.