Ambasada e Shteteve të Bashkuara në Prishtinë ka përmbledhur vizitën e senatores amerikane Joni Ernst në Kosovë, duke e vlerësuar atë si një mundësi për të kuptuar më nga afër zhvillimet aktuale politike dhe të sigurisë në vend.
Gjatë vizitës, Ernst zhvilloi takime me përfaqësues të institucioneve të Kosovës, ndërsa vizitoi edhe trupat amerikane në Camp Film City në Prishtinë dhe Camp Bondsteel. Ajo u takua gjithashtu me pjesëtarë të Komandës Rajonale të KFOR-it Lindje dhe Grupit Mbështetës të Zonës-Ballkan.
Në njoftimin e saj, Ambasada amerikane theksoi rëndësinë e angazhimit të senatores në Kosovë.
“Angazhimet produktive të senatores ofruan pasqyrë të vlefshme të dinamikës aktuale në Kosovë dhe theksuan rëndësinë e një marrëdhënieje konstruktive SHBA-Kosovë.”
Ambasada bëri të ditur gjithashtu se Ernst ishte e nderuar të pranonte Medaljen Presidenciale të Meritës, të ndarë për kontributin e saj në forcimin e partneritetit mes Kosovës dhe Shteteve të Bashkuara.
“Senatorja Joni Ernst përfundoi vizitën e saj në Kosovë pasi takoi liderët qeveritarë kosovarë, duke përshëndetur trupat nga Iowa në Camp Film City, dhe duke vizituar Kampin Bondsteel dhe pjesëtarët e përkushtuar të Komandës Rajonale të KFOR-it Lindje dhe Grupit Mbështetës të Zonës-Ballkan. Senatorja Ernst ishte e nderuar të pranojë Medaljen Presidenciale të Meritës dhe Medaljen për Shërbim të Dalluar. Angazhimet produktive të senatorit ofruan pasqyrë të vlefshme të dinamikës aktuale në Kosovë dhe theksuan rëndësinë e një marrëdhënieje konstruktive SHBA-Kosovë“, thuhet në njoftim.
Vizita e senatores amerikane vjen në një periudhë kur çështjet e sigurisë dhe prania amerikane në Kosovë kanë qenë në fokus të diskutimeve politike. Gjatë takimit me Ernst, kryeministri në detyrë Albin Kurti ka përsëritur kërkesën që Camp Bondsteel të shndërrohet në prani të përhershme ushtarake amerikane në Kosovë.
Burimi: botasot.info


