Ambasada amerikane ka paralajmëruar një sulm të mundshëm gjatë samitit të muxhahedinëve iranianë, që do të mbahet në Manëz të Durrësit.
Samiti do të mbahet më 23 dhe 24 korrik dhe ambasada ka dalë me një njoftim për mediat ku paralajmëron se ka informacione të besueshme se është përgatitur një sulm dhe kërkon të bëhet kujdes.
“Qeveria e SHBA është në dijeni të një kërcënimi të mundshëm që synon Samitin Botëror të Iranit të Lirë që do të mbahet pranë Durrësit, Shqipëri në 23-24 korrik 2022”, njofton ambasada.
Më tej në njoftim ambasada njofton qytetarët amerikanë që jetojnë në Shqipëri për veprimet që duhet të ndërmarrin për t’u ruajtur nga një sulm i mundshëm.
Qytetarëve të SHBA-së u kërkohet të shmangin këtë ngjarje: Monitoroni mediat lokale; Jini të vetëdijshëm për rrethinën tuaj; Mbani një profil të ulët.
Dyshimet janë se Irani ka rekrutuar një grup muxhahedinësh dhe agjentësh, të cilët ishin përgatitur për një sulm masiv terrorist.
Reagimi i ambasadës vjen në një kohë kur pak ditë më parë u godit një celulë spiunazhi në kampin e muxhahedinëve në Manzë të Durrësit, ndërkohë që gjithashtu dyshohet se sulmi kibernetik që ka goditur vendin vjen nga Irani.
Nga hetimet e SPAK ka rezultuar se, një nga shoqatat e krijuara në vendin tonë që drejtohej nga shtetasi Iranian Hasan Heyrani, është themeluar nga një shqiptar emri i të cilit nuk bëhet me dije.
Shoqata e quajtur “ASILA”, është krijuar rreth një vit e gjysmë më parë dhe ndodhet në katin e tretë të një vile, përballë shkollës “Gjon Buzuku”, në kryeqytet. Ajo në dukje ka për qëllim shkëmbimin e kulturave mes Iranit dhe Shqipërisë, por SPAK ka dyshime se personat e përfshirë po përgatisnin një rrjet agjenturor, ku qëllimi ishte marrja e informacioneve për jetesën e muxhahedinëve që jetojnë në kampin në Manëz.
Dyshohet se personat e vënë nën hetim kanë qenë të rekrutuar nga Ministria e Brendshme e Iranit.
Prokuroria e Posaçme dhe anti-terrori kanë marrë në pyetje si dhe kanë kontrolluar banesat, apo makinat e të paktën 11 personave, ku janë sekuestruar një sërë dokementesh dhe një shumë monetare prej 10 mijë eurosh.