​Ambasada e Francës në Kosovë feston Ditën Kombëtare më herët, shkak finalja e Euro 2024

min lexim

Ambasadori i Francës në Kosovë, Olivier Guerot ka pritur sot në “amfiteatrin Gërmia” autoritete të larta ndërkombëtare dhe nga Kosova, për nder të kremtimit të Ditës Kombëtare të Francës.

Pjesë e kësaj ngjarje ishte edhe kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, së bashku me figura të njohura nga institucionet tona, raporton KosovaPress.

Kryeministri Kurti tha se vera e vitit 1798 ishte historike, jo vetëm për popullin e Francës, por edhe për të gjithë popujt që duan lirinë dhe demokracinë, e që 235 vjet më vonë, ky shtet po shënon edhe një verë tjetër historike – e frymëzuar nga po të njëjtat vlera, e cila është e rëndësishme për Francën edhe për shkak të Lojërave Olimpike dhe Paralimpike, të cilat do të zhvillohen në Paris.

Kurti: Vera e këtij viti është e rëndësishme për Francën për shkak të Lojërave Olimpike dhe Paralimpike

“Franca po shënon edhe një verë tjetër historike, e frymëzuar nga po të njëjtat vlera. Përkundër parashikimeve të gati të gjithë ekspertëve, qytetarët e Francës riafirmuan më 7 korrik përkushtimin e tyre ndaj lirisë dhe barazisë, duke votuar bindshëm për Republikën dhe për Evropën. Ndonëse të ndara me mbi dy shekuj në mes vete, viti 1789 dhe viti 2024 janë të lidhur ngushtë me njëri-tjetrin. Pa çka se në parti të ndryshme me dallime jo të vogla, bashkimi politik e publik për republikë dhe Evropë i Francës së korrikut 2024, në zgjedhje të lira e demokratike, nuk do të ishte i mundur pa revolucionin e korrikut të vitit 1789. Jam i bindur që kjo Francë, Franca si e tillë, vazhdon të inspirojë kontinentin evropian dhe botën mbarë… Vera e këtij viti është e rëndësishme për Francën edhe për shkak të Lojërave Olimpike dhe Paralimpike, të cilat do të mbahen në Paris, për herë të parë qysh prej vitit 1924. Kosova do të marrë pjesë, me krenari, për të tretën herë në Lojërat Verore dhe të pestën herë gjithsej. Së shpejti, ne do t’jua kthejmë nderin, si nikoqire e Lojërave Mesdhetare të vitit 2030”, tha Kurti.

Edhe pse nuk ishte prezente për shkak të agjendës së saj, presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani shprehu urimet e saj përmes një videoje për popullin francez, duke thënë që Kosova dhe Franca duhet ta vazhdojnë miqësinë e tyre së bashku, me interesat e njëjta për liri, drejtësi dhe demokraci.

Osmani: Le të vazhdojmë ta përcjellim miqësinë mes Kosovës dhe Francës

“Sot në Ditën Kombëtare ju shpreh urimet më të përzemërta Republikës së Francës dhe popullit të saj. Udhëtimi juaj dhe sukseset tuaja na frymëzojnë të gjithëve. Le të vazhdojmë ta përcjellim miqësinë mes Kosovës dhe Francës, dhe të qëndrojmë gjithmonë së bashku drejt lirisë, drejtësisë dhe demokracisë”, tha Osmani.

Fjalën e morri edhe presidenti i Komitetit Olimpik të Kosovës (KOK), Ismet Krasniqi i cili tha se dita e sotme është simbol i demokracisë, lirisë dhe barazisë, vlera këto të cilat Franca i ka përhapur në tërë botën.

Krasniqi: Franca ka treguar vullnetin, dëshirën dhe përkushtimin për vendin tonë, jo vetëm në politikë e në ekonomi, por edhe në sport

“Kjo ditë është simbol i demokracisë, lirisë dhe barazisë, vlera të cilat Franca i ka mbrojtur dhe i ka përhapur në tërë botën… (23:09) Franca ka treguar vullnetin, dëshirën dhe përkushtimin për vendin tonë, jo vetëm në politikë e në ekonomi, por edhe në sport. Komiteti Olimpik i Kosovës ka përfituar jashtëzakonisht shumë nga bashkëpunimi me Komitetin Olimpik të Francës. Mbështetja dhe ekspertiza e tyre ka qenë jetike për zhvillimin e sportit në vendin tonë. Kjo marrëdhënie është një model i shkëlqyer për të treguar se si dy vende mund të bashkpunojnë për të arritur suksese të përbashkëta”, tha Krasniqi.

Ndërkaq, presidentja e Komitetit Paralimpik të Kosovës, Njomza Emini tha se sot festojmë ditën e mikut tonë të përhershëm dhe se partneriteti me shtetin francez është i çmueshëm.

Emini: Sot festojmë Ditën Kombëtare të mikut tonë, partneriteti me shtetin francez është i çmueshëm

“Sot është një ditë e rëndësishme për ne ngase festojmë Ditën Kombëtare të mikut tonë të përhershëm, Republikës së Francës. Partneriteti me shtetin francez është i çmueshëm, ashtu siç është edhe vlera e mbështetjes së dhënë nga ana e tyre për vendin tonë, por edhe për kauza të vlefshme tonat në veçanti. Ndër kauzat që shteti ynë mik, Franca nuk reshti së mbështetur është edhe Lëvizja Paralimpike… (26:38) Ky partneritet bëhet edhe më kuptimplotë tani kur vendi ynë po bëhet gati për debutimin në Lojërat Botërore Paralimpike Parisi 2024, pikërisht në qytetin e bukur të Parisit. Është koincidencë e bukur fakti që pikërisht në vendin që i dha shumë paralimpizmit në Kosovë, ne do të shkruajmë historinë duke debutuar në Lojërat Paralimpike”, tha Emini.

Për fund, këtë kremtim e bënë më atraktiv demonstrimet nga sportistët e xhudos dhe karatesë.

Festimi i Ditës së Pavarësisë së Francës këtë vit përkon me mbajtjen në Paris të edicionit të 33-të të Lojërave Olimpike Verore dhe Paralimpike, me pjesëmarrjen e tretë të Kosovës në to.

Story i mëparshëm

Lotina Hazirit i paskan hije buzët e kuqe

Story i radhës

Shkup, mbahet marsh përkujtimor për përvjetorin e gjeno*idit në Srebrenicë

Të fundit nga