Drejtori i Drejtorisë së Komunikimeve të Presidencës së Republikës së Türkiyes, Fahrettin Altun, të dielën mbajti një fjalim në TRT World Citizen Humanitarian Film Festival, duke theksuar përgjegjësinë globale për zgjidhjen e krizave humanitare, raporton Anadolu.
“Raportet dhe statistikat e mbajtura, pavarësisht nga rëndësia e tyre, janë të pamjaftueshme për të lehtësuar vuajtjet e individëve të cenueshëm dhe të shtypur; në vend të kësaj, rrëfimet që gjenden në filmat dhe veprat e artit kanë fuqinë të prekin me të vërtetë zemrat tona”, tha Altun.
Altun përmendi rëndësinë e ndjeshmërisë së vërtetë, fuqinë e tregimit dhe nevojën për një qasje humanitare për zgjidhjen e sfidave globale dhe rajonale. Ai pohoi se është detyrë kolektive e bashkësisë ndërkombëtare të luftojë kundër atyre që janë përgjegjës për aktet çnjerëzore që shkaktojnë vuajtje në pjesë të ndryshme të botës.
“Ajo që na shtyn të adresojmë krizat humanitare nuk është thjesht reduktimi i tragjedive në statistika apo kategori, por aftësia për të ndier ndjeshmërinë me vuajtjet dhe jetën e çdo individi të prekur”, tha Altun.
“Festivali i Filmit Humanitar”, organizuar nga TRT World Citizen, i cili punon në mënyrë “njeriu në qendër” për të drejtuar dhe lënë gjurmë te qytetarët anembanë botës, mblodhi edhe këtë vit shikues dhe profesionistë të industrisë.
Festivali i filmit të shkurtër, i organizuar për herë të pestë, synon të hedhë dritë mbi çështjet humanitare globale dhe të vendosë një theks të fortë te njerëzimi duke u fokusuar në tema të ndryshme si lufta, konflikti, pandemitë, të drejtat e grave, migrimi, krizat klimatike, ndotja e mjedisit, uria, të pastrehët dhe varfëria.
Drejtori i Komunikimeve i Türkiyes, Altun, bëri thirrje për ndryshimin e paradigmës në mënyrën se si kuptohet konflikti disavjeçar izraelito-palestinez. Ai theksoi se problemi, i njohur shpesh si “çështja palestineze”, duhet të njihet si “çështja izraelite”.
“Sot jemi këtu për t’i shpallur botës emrin e vërtetë të këtij problemi, i cili prej vitesh është quajtur ‘çështja palestineze’. Emri i këtij problemi është ‘çështja izraelite'”, tha Altun, duke shtuar se “jo vetëm Lindja e Mesme, por e gjithë bota po përballet me këtë çështje”.
Ai më tej pranoi se ndërsa Türkiye ka ndërmarrë hapa të guximshëm për të përballuar këto sfida, disa kanë mbetur pjesëmarrës pasivë përballë krizave humanitare, duke theksuar urgjencën e bashkëpunimit global.
“Disa vende nuk tregojnë guximin që të përballen me këtë çështje, duke mbyllur sytë para saj, por Türkiye qëndron në ballë”, tha Altun, duke shtuar:
“Për sa kohë që problemi izraelit injorohet, kjo krizë historikisht në rritje do të vazhdojë të përshkallëzohet dhe të kërcënojë njerëzimin”.
Altun theksoi rolin jetik të tregimit dhe artit në nxitjen e mirëkuptimit dhe ndjeshmërisë ndaj vuajtjeve të popullatave të cenueshme dhe të shtypura.
Ai vlerësoi Festivalin TRT World Citizen Humanitarian Film për aftësinë e tij unike për të hedhur dritë mbi çështjet globale dhe krizat humanitare përmes objektivit të filmit.
Ai e mbylli fjalën e tij duke shprehur shpresën se festivali, si iniciativë, do të kontribuojë për paqen, prosperitetin, drejtësinë dhe stabilitetin global dhe do të bashkojë kineastët dhe tregimtarët për të rritur ndikimin e tyre në zgjidhjen e çështjeve më urgjente humanitare në botë.