9
Shkup, 7 dhjetor – Nën moton “Vazhdojmë me përgjegjësi dhe dinjitet”, Alternativa sot takoi strukturat dhe aktivin e partisë në Strugë.
Të pranishmëve iu drejtuan funksionarë të lartë partiakë dhe në ekzekutiv, ku në bashkëbisedim u trajtuan tema të rëndësishme, si situata aktuale politike, llogaridhënia e Alternativës si pjesë e qeverisë në kuadër të koalicionit VLEN, transparenca për çdo arritje dhe vendim, si dhe sugjerime e kritika me qëllim që zëri i qytetarit të jetë pjesë e vendimmarrjes.
Takimin e përshëndetën kryetari i Degës së Strugës, Geni Qyra; zëvendësministri i Arsimit dhe Shkencës, Lulzim Aliu; kryetarja e Forumit të Gruas, Albulena Demiri Zendeli; nënkryetari, Arben Labënishti; dhe sekretari i përgjithshëm, Amir Elezi.
Në fund të takimit të pranishmëve iu drejtua kryetari i Alternativës, Zeqirija Ibrahimi, i cili mes tjerash tha:
“Qëllimi i këtij takimi është në funksion të llogaridhënies, diskutimit dhe këshillimit për atë që duhet bërë. E veçanta e kësaj kampanje është fakti se në të kaluarën qytetarët janë mësuar të takohen me politikanët vetëm gjatë periudhës zgjedhore, kurse ne duam ta ngrisim këtë standard dhe të vijmë edhe pas zgjedhjeve për llogaridhënie.
Për herë të parë, organet e rendit reagojnë në mënyrë të barabartë kur ka incidente ndëretnike. Shembulli i fundit është rasti i përdhosjes së flamurit shqiptar. Ky është argumenti më i fuqishëm për ata që thonë se me ardhjen e VLEN-it shqiptarët nuk janë të mbrojtur apo të përfaqësuar. Edhe pse, për hir të së vërtetës, numrat në parlament nuk janë ata për ta kushtëzuar qeverinë.
Sa për krahasim, në vitin 2011 BDI-ja nuk e kishte as gjysmën e pushtetit që ka VLEN-i tani kur ishte në pushtet me VMRO-në. Një premtim parazgjedhor i VLEN-it ishte lufta kundër kazinove, dhe dua të them se, me interpretimin e ligjit, janë anuluar licencat e shumicës së kazinove online. Me ligjin e ri të lojërave të fatit, një numër i madh kazinosh do të mbyllen ose do të përjashtohen nga vendbanimet.
BURIMI: zhurnal.mk