Shkup, 14 nëntor – Një grup anëtarësh nga dega e Çairit nga Alternativa kërkojnë dorëheqjen e ministrit të Shëndetësisë, Bekim Sali. Kjo gjë u bë e ditur përmes një konference për shtyp nga ish shefi i kabinetit të Sali, tashmë i shkarkuar, Meriton Civuli. Por, ky nuk është i vetëm në këtë kërkesë të adresuar, pas tij janë edhe 10 anëtarë të tjerë, të cilët kanë mbledhur nënshkrimet dhe kanë iniciuar kërkesë për shkarkim të ministrit Sali. Në mesin e 11 të nënshkruarve është edhe zëvendës ministri i Kulturës, Daim Luçi. Mbase, kjo mund të shihet në forma të ndryshme por ajo që reflekton në shikim të parë bëhet fjalë për pakënaqësi dhe parregullësi të thella përbrenda kësaj partie, e cila lirisht mund të përshkruhet si një “pëllëmbë” parti nëse shikojmë rezultatet e zgjedhjeve të fundit. Por, ishte momenti ideal për këtë parti që të futen në qeveri, dhe me këtë u bënë partia e parë që kanë marrë më shumë pozita në qeveri se sa vota në zgjedhje, shkruan Zhurnal.
Dega e Çairit nga Alternativa kërkoi edhe zyrtarisht sot dorëheqjen e ministrit të Shëndetësisë, Bekim Sali. 11 nënshkrime janë vendosur në iniciativën e kësaj dege për shkarkimin e ministrit. Në mesin e këtyre nënshkrimeve është edhe zëvendës ministrti i Kulturës, Daim Luçi, dhe drejtori i Qendrës për Punë Sociale, Liridon Baftiji. Ish shefi i kabinetit të ministrit Sali, Meriton Civuli tha se shqetësimin në fjalë ia kanë bërë të ditur edhe kryetarit të partisë por se nuk ka pasur veprim deri më tani nga ana e tij.
Cilat janë arsyet që ky grup kërkon shkarkimin e ministrit Bekim Sali?
Sipas këtij grupi ka një sërë arsyesh, por këta kanë vendosur në 5 pika arsyet konkrete pse ministri Sali është i padëshirueshëm për këtë grup.
1. Mosmarrja e dy drejtorive në klinikat Universitare dhe kryetarin e bordit drejtues në Fondin Shëndetësor, që na takonin sipas marrëveshjes politike që para gati një viti, vende këto ku do mundet të realizojmë politikat tona shëndetësore në vepër.
2. Mosavancimi i kuadrove shqiptare tash e dhjetë muaj. Asnjë shef reparti, motër kryesore, vendim i dhënë mjekëve me kontratë pune etj
3. Përqindja e punonjësve shqiptarë sipas balancuesit që lë shumë për të dëshiruar.
4. Asnjë plan e projekt konkret për investime kapitale në klinikat dhe ambulancat në vendbanimet shqiptare.
5. Mungesa e një iniciative serioze për reformim të Ministrisë konform nevojave dhe mangësive sistemore të cilat prekin direkt qytetarët, si pacientët, punonjësit shëndetësorë si dhe sektorin privat që drejtpërdrejtë ka të bëjë me sistemin shëndetësor.
Megjithatë, kjo është një praktikë shumë e mirë kur ka auto-kriticizëm, kur kritikohen mes veti anëtarët e po të njëjtit subjekt, por ajo që nuk është praktike në vendin tonë që kërkesat e cilës do natyrë qofshin nuk merren parasysh nga organet qendrore partiake.
Nga ana tjetër kryetari i degës së Alternativës në Çair, Faton Fazliu, ka dalë me një reagim të menjëhershëm pas kësaj konference nga ky grup që po kërkojnë shkarkimin e ministrit Sali, ky i fundit ka përgëzuar punën e ministrit dhe i ka uruar suksese në vazhdimin e punës së tij. Sipas tij, nuk ka pasur asnjë reagim e ankesë në organet e degës e as në Kuvendin e degës deri në këto momente për asnjë funksionarë të Alternatives, dhe lë hapësirë që mund të jetë për interesa personale.
Alternativa keq në opozitë keq në pozitë –
Nga ky debat i fundit, qartazi kuptohet se vështirë të funksionojnë këto parti pa ndarje e përçarje, keq në opozitë e keq në pozitë. Si duket pushteti i ka verbëruar e asesi nuk po kanë mundësi të veprojnë sipas normave dhe rregullave të duhura.
Alternativa, ndryshe njihet si partia shqiptare e cila herë është opozitare e herë në pushtet, e me këtë reflekton që pozitat e kësaj partie ndryshojnë më shpesh se stinët e vitit. Alternativa është pozicionuar në qeveri duke zënë më shumë pozita se sa vota që kishte në zgjedhjet e fundit. Prandaj, kur vjen në pushtet pa besimin e popullit nuk brengosesh fare edhe për fatin e popullit.
Kryetari i kësaj partie, Afrim Gashi, doli në skenën politike në vitin 2015 duke qenë bashkëthemelues i partisë më të re politike shqiptare, Lëvizja Besa, në krye me Bilall Kasamin, dhe bashkë me Zejd Rexhepin, u panë si një grup që do ta sjell ndryshimin, por në të vërtetë këta veçse e thelluan edhe më shumë dëshpërimin.
Kryetari i Lëvizjes Besa, Bilall Kasami, vazhdoi po në të njëjtën parti dhe në të njëjtën pozitë, ndërkaq këta dy të tjerët Gashi e Rexhepi themeluan parti tjetër, të quajtur Alternativa, por hiç më vonë se dy vite u ndanë edhe njëherë, këtë herë ndarja ishte mes Afrim Gashit dhe Zejd Rexhepit. Mbase, e kishin emëruar si Alternativë partinë, por gjë tjetër të re nuk solli në skenën politike pos edhe një fraksion të ri.
Ndryshe, tani pos Zejd Rexhepit, bëhet fjalë edhe për një grup prej 11 anëtarësh që janë të pakënaqur me politikat e Gashit, mbetet të shihet ditëve në vijim ajo çfarë do të ndodhë në këtë parti shumë të vogël e me pakënaqësi shumë të mëdha. /Zhurnal.mk
Burimi: zhurnal.mk