Komisioni Shtetëror i Zgjedhjeve ka filluar me publikimin e rezultateve të para nga zgjedhjet që janë mbajtur sot në tre komuna në vend. Ndërkohë në konferencë për shtyp ka folur shefi i shtabit të Lëvizjes Besa, Sadat Sulejmani i cili ka shpallur fitoren në zgjedhjet për këshillin komunal në Tetovë. Kurse BDI, me kryetarin Ali Ahmeti ka thënë se për ta është i rëndësishëm procesi dhe funksionimi i këshillit.
Nga Alternativa, Orhan Murtezani ka thënë:
“Ndonëse kjo ishte paraqitja jonë e parë në zgjedhje si parti në vete, ne jemi të kënaqur nga ky rezultat ndonëse pritjet tona kanë qenë më të larta. Ky rezulatat dëshmon se Alternativa ka qendrueshmëri stabile në Tetovë dhe vlerësimi që na është bërë në të kaluarën, në koalicionin e dy palë zgjedhjve të kaluara ka qenë joreal për mos të thënë jokorrekt”, theksoi Murtezani.
“Më lejoni t’i përgëzoj të gjithë pjesëmarrësit në zgjedhjet e sotme dhe t’i falënderoj për këtë fushatë zgjedhore, po ashtu dëshirojmë të ua urojmë fitoren atyre që kanë marrë numrin më të madh të votave dhe numër më të madh të këshilltarëve, duke marrë kështu përsipër edhe numrin më të madh të përgjegjësive, këtu dua ta përgëzoj edhe këshilltarin e ardhshëm të Alternativës, Faton Selami”, tha Murtezani.
“Gjatë ditës kemi pasur 127 ankesa për të drejtën personale të votimit, prej tyre 113 janë pranuar, ndërkaq janë refuzuar 6. Në Mavrovë dhe Rostushe gjithsej 37 ankesa, janë pranuar 29 dhe janë refuzuar 3. Tetovë gjithsej 43 ankesa, janë pranuar 38 dhe refuzuar 2. Qendër Zhupë 47, janë pranuar 46 është refuzuar 1”, ka thënë kryetari i KSHZ-së, Aleksandar Dashtevski.
Vendvotimet janë hapur dhe mbyllur sipas rregullit dhe në kohë të caktuar. Gjatë procesit nuk janë paraqitur probleme gjatë procesit të votimit. Të drejtë vote kanë pasur 84.072 qytetarë të komunës së Tetovës.