Paul Pogba është në fazën e fundit të rikuperimit nga dëmtimi në gju që e la jashtë fushave të lojës për një kohë shumë të gjatë. Mesfushori i Juventus pritet të marrë minutat e para në fundin e muajit janar, megjithatë drejtuesit bardhezi nuk janë të bindur pasi 29-vjeçarit do t’i duhet një kohë e gjatë për të rigjetur versionin më të mirë.
Në këtë formë, merkato e Juventusit është e bllokuar pasi trajneri Massimiliano Allegri nuk e lëshon Adrien Rabiot, pikërisht për shkak të mosbesimit ndaj Pogba.
Rabiot është në vitin e fundit të kontratës me “Zonjën e Vjetër” dhe deri më tani bisedimet për rinovimin e kontratës nuk po shkojnë në rrugën e duhur me italianët që rrezikojnë ta humbasin me parametër zero në verë.
Megjithatë, trajneri livornez ka vendosur “veton” dhe ka bllokuar Rabiot pavarësisht rrezikut të klubit që mund të dalë pa asnjë përfitim nga francezi.