Kam kënaqësi dhe nder t’ju drejtohem në ditën e dytë të konferencës
mbarëkombëtare shkencore “Një komb – një gjuhë”. Jam shumë i nderuar
që ky aktivitet shkencor mbarëkombëtar filloi dje në Shkup, në
Institutin e Trashëgimisë Shpirtërore e Kulturore të Shqiptarëve, sot
po vazhdon në Prishtinë, ndërsa prej nesër do të vijojë edhe në Tiranë.
Të nderuar, duke qenë në 50-vjetorin e mbajtjes së Kongresit të
Drejtshkrimit të Gjuhës Shqipe, ne në fund të vitit që shkoi
nënshkruam një memorandum bashkëpunimi me Akademinë e Studimeve
Albanologjike të Tiranës dhe Institutin Albanologjik të Prishtinës, që
këtë jubile të madh të gjuhës e të kombit tonë ta shënojmë bashkërisht
dhe kështu të dalim përtej kufijve politikë, duke ndërtuar ura
kulturore e shkencore, ashtu siç kemi vepruar edhe para 50 vjetëve me
vendosjen e gjuhës standarde. Rrjedhimisht, konferenca e sotme është
fryt i këtij bashkëpunimi.
Sigurisht se kjo ngjarje merr dimension tjetër kur në mesin tonë e
kemi edhe një pjesëmarrës të Kongresit të Drejtshkrimit, siç është
prof. Rexhep Qosja, që edhe sot si para gjysmë shekulli e ruan
gjallërinë intelektuale për të na ndërgjegjësuar për rolin e njësuar
të gjuhës standarde shqipe.
E derisa flasim për pjesëmarrësit në Kongresin e Drejtshkrimit, dua të
theksoj se edhe intelektualët shqiptarë të Maqedonisë së Veriut në atë
kohë nuk kishin asnjë dilemë rreth këtij përcaktimi. Pjesëmarrja e
prof. Remzi Nesimit, që kishte kumtesë dhe ishte nënshkrues i
Rezolutës së Kongresit, si edhe e prof. Petro Janurës dhe prof.
Sejfedin Sulejmanit, ishte dëshmi se në cilën anë do të ishin
shqiptarët e asaj ane në gjysmëshekullin që vijonte.
E kur jemi te gjuha standarde, do të më lejoni të flas si historian.
Atë që nuk e përmbushi Lidhja e Prizrenit, respektivisht Shoqëria e
Shtypuri Shkronja Shqip, atë që nuk e mbylli as Kongresi i Manastirit
me temën e alfabetit, e bëri pikërisht Kongresi i Drejtshkrimit me
unifikimin e gjuhës standarde, që më shumë se zgjidhje e një problemi
gjuhësor, ishte zgjidhje e një problemi historik. Një komb i ndarë në
baza fetare, krahinore, por edhe politike, të cilit historia ia ka
fragmentuar edhe gjeografinë, më në fund e gjeti elementin që do ta
lidhte dhe do ta njësonte. Gjuha standarde shqipe, me Kongresin e
Drejtshkrimit, u bë mjeti që i lidh dhe bashkon shqiptarët, duke ua
rrafshuar të gjitha dallimet, për t’i bërë një komb që do të
projektohet pikërisht përmes gjuhës. Pas këtij kongresi u bë relative
se a je shqiptar në Tiranë, në Shkup, në Prishtinë, në Preshevë, në
Ulqin ose në mërgatë, ngase tashmë ishte krijuar indi lidhor i kombit
dhe kjo do ta tipizonte secilin shqiptar kudo që të jetë ai. Prandaj,
shikuar në këtë kontekst, Kongresi i Drejtshkrimit bëhet mbase pika më
e rëndësishme e ndërtimit të kombit tonë.
Duke e përfaqësuar Institutin e Trashëgimisë Shpirtërore e Kulturore
të Shqiptarëve në Shkup, që sivjet shënon 15-vjetorin e themelimit,
dhe kështu duke u bërë zëri i albanologjisë në Maqedoninë e Veriut,
dua të ndaj me ju kënaqësinë se alfabeti dhe drejtshkrimi na kanë
integruar si komb edhe në kuptimin gjeografik. Kongresi i Alfabetit,
që është mbajtur në Manastirin e Maqedonisë së Veriut, Konsulta
Gjuhësore e Prishtinës dhe Kongresi i Drejtshkrimit të Tiranës, janë
tri pikat që më mirë se gjithçka e hartëzojnë identitetin tonë të
përbashkët kombëtar. Si për koincidencë, kjo konferencë dhe këto
aktivitete shkencore po bëjnë përsëri bashkimin e kombit, duke na
mësuar se kufijtë politikë janë trivialë dhe se neve na pret një e
ardhme europiane pa kufij.
Po e përfundoj fjalën time duke i dëshiruar sukses kësaj konference
dhe duke uruar që bashkëpunimi i këtillë trepalësh të vazhdojë, të
rritet, të fuqizohet dhe të sjellë gjithnjë e më shumë aktivitete të
përbashkëta, që jo vetëm do të na mësojnë të komunikojmë e të
bashkëpunojmë, por edhe do të na stërvitin të mësojmë nga
njëri-tjetri, në mënyrë që brezave që vijnë t’ua trashëgojmë këtë
frymë dhe këtë traditë.
Edhe njëherë suksese, ju faleminderit dhe mirupafshim!
Skender Asani, drejtor