Aleksander Jabllanoviq dhe partia e tij tërhiqen nga gara zgjedhore lokale në veri të Kosovës

Kryetari i Partisë së Serbëve të Kosovës, Aleksander Jabllanoviq, dy ditë para zgjedhjeve të jashtëzakonshme në veri, ka thënë se ai dhe partia e tij po tërhiqen nga zgjedhjet për komunën e Leposaviqit ngase nuk ka kushte për mbajtjen e tyre, raporton Anadolu.

Jabllanoviq nëpërmjet një konference të jashtëzakonshme për media nga Leposaviqi, ku morën pjesë edhe kandidatët e partisë së tij, njoftoi se në mbledhjen e kryesisë së partisë që ai udhëheq është vendosur që të tërhiqen nga procesi zgjedhor, ndërsa simpatizantëve dhe qytetarëve të tyre u bënë thirrje që të mos shkojnë në zgjedhje të dielën e 23 prillit.

“Nuk ka kushte adekuate për këto zgjedhje. Zgjedhjet janë reduktuar, nuk kemi 18 qendra votimi dhe 25 vendvotime siç e parashikon ligji, kemi vetëm tri qendra në zonat serbe. Prej tyre, njëra është në kuadër të stacionit policor në qytetin e Leposaviqit, qendra e dytë ndodhet pranë bazës së njësisë speciale të Policisë së Kosovës në qytetin e Jarinjës, dhe e treta është pranë rrugës kryesore, në hyrje të Leposaviqit”, tha Jabllanoviq.

Aleksandar Jabllanoviq ka qenë kandidat për kryetar të komunës së Leposaviqit në veri të Kosovës, ndërsa Partia e Serbëve të Kosovës ka regjistruar 18 kandidatë në garë për këshilltarë të Kuvendit Komunal të Leposaviqit.

Jabllanoviq tha se Partia e Serbëve të Kosovës është regjistruar për zgjedhjet në dhjetor të vitit të kaluar dhe se nuk e tërhoqi kandidaturën e saj edhe pas shtyrjes së zgjedhjeve për në prill, sepse besojnë se është e nevojshme që Leposaviqi dhe komunat tjera të ndryshojnë qeverisjen dhe që Lista Serbe të largohet drejt pensionimit politik.

Ai tha se edhe pse po tërhiqen nga zgjedhjet, Lista Serbe ende është kundërshtar politik i tyre, por jo edhe shteti i Serbisë apo Qeveria e Serbisë dhe presidenti Aleksandar Vuçiq.

“Qytetarët nuk janë të kënaqur me atë që u ka ofruar Lista Serbe dhe me mënyrën se si ka qeverisur, por me kalimin e kohës doli se këto zgjedhje u bënë shumë më tepër se zgjedhje lokale. Filluan të tregohen histori të ndryshme dhe kemi ardhur në një situatë kur këto zgjedhje vendosin nëse Republika e Serbisë do të vazhdojë praninë e saj në veri të Kosovës apo nëse institucionet nga Prishtina do ta marrin primatin e plotë”, tha ai.

Jabllanoviq theksoi se për vendimin e marrë nuk ka pasur presion nga Beogradi, por nuk ka pasur as mbështetje nga Prishtina apo nga faktori ndërkombëtar.

“Mendoj se këto zgjedhje nuk kanë mundur të japin atë që është dashur të japin: fillimin e një periudhe të re, një situatë më të relaksuar në veri të Kosovës”, tha Jabllanoviq.

Me tërheqjen e Partisë së Serbëve të Kosovës, kandidatja e vetme nga komuniteti serb mbetet Sllagjana Pantoviq, si kandidate e pavarur për kryetare të Zveçanit.

Për zgjedhjet për kryetarë të komunave të Mitrovicës së Veriut, Zubin Potokut, Leposaviqit dhe Zveçanit janë certifikuar gjithsej 11 kandidatë nga pesë subjekte politike, ndërsa mbi 60 kandidatë janë certifikuar për këshilltarë të dy kuvendeve komunale, Zveçanit dhe Leposaviqit.

Lista Serbe, partia më e madhe e serbëve të Kosovës, e cila mbështetet nga Beogradi zyrtar, nuk ka aplikuar për pjesëmarrje në garën zgjedhore lokale.

Ajo ka kushtëzuar kthimin e saj në institucionet kosovare me formimin e Asociacionin e komunave me shumicë serbe, shtyrjen e vendimit për regjistrimin e veturave me targa ilegale që qarkullojnë në veri dhe tërheqjen e njësisë speciale të Policisë së Kosovës nga veriu.





Story i mëparshëm

Fëmijët e tyre mposhtën leukeminë, prindërit themelojnë fondacion: Duam t’ua zgjasim dorën të tjerëve

Story i radhës

“Bashke Fitojmë” çon në Kolegj KQZ-në: Të vendoset emri i Berishës në fletën e votimit të këshillave bashkiakë. Ja kur hidhet shorti për përcaktimin e trupit gjykues

Të fundit nga