Aleanca e nënshkruar nga Kosova, Shqipëria dhe Kroacia më 18 mars në Tiranë, përmes së cilës vendet angazhohen të forcojnë bashkëpunimin në fushën e mbrojtjes dhe sigurisë, e trazoi Serbinë. Kjo u pa në reagimet e zyrtarëve më të lartë të këtij shteti.
Nga Ministri e Punëve të Jashtëm të Serbisë, përmes një postimi në platformen “X”u tha se “do t’u dërgojë një kërkesë urgjente Ministrive të Punëve të Jashtme të Republikës së Kroacisë dhe Republikës së Shqipërisë për një shpjegim të detajuar në lidhje me nënshkrimin e memorandumit trepalësh për bashkëpunimin në fushën e mbrojtjes”.
Përveç të tjerash, në reagim thuhej se “Është veçanërisht shqetësues fakti që kjo aleancë ushtarake po krijohet pa konsultim me Beogradin…. që paraqet kërcënim për sigurinë për popullin serb dhe mbarë rajonin”.
Një deklaratë tjetër erdhi nga Kryeministri serb në largim, Millosh Vuçeviç, i cili ka deklaruar se edhe Bullgaria mund t’i bashkohej kësaj aleance ushtarake. Ndërkaq, reagimet nga Kosova, Shqipëria dhe Kroacia ishin të menjëhershme.
Ministri kroat i Mbrojtjes, Ivan Anusic, ka potencuar se: “Ka kaluar koha kur Kroacia e pyeste Beogradin se çfarë i lejohej të bënte dhe si duhej ta bënte, dhe kjo nuk do të ndodhë më kurrë”.
Nga Ministria e Punëve të Jashtme dhe Diasporës e Kosovës, përmes një reagimi për media, është thënë se “Përpjekja e Serbisë për ta paraqitur veten si ‘garantuese e paqes në Ballkan’ është absurde. Asnjë shtet në rajon e më gjerë nuk ka kontribuar më shumë në destabilizimin e Ballkanit Perëndimor sesa Serbia, siç e dëshmojnë faktet historike dhe zhvillimet e fundit”.
Kurse, Ministri i Mbrojtjes i Republikës së Shqipërisë, Pirro Vengu, përmes një postimi në “X”, shkruajti se “Serbia, duke ndjekur prej dy vitesh një politikë të karrikes boshe në iniciativat rajonale, ia ka pezulluar në mënyrë të njëanshme vetes mundësinë për të nxitur ose për të marrë pjesë në konsultime shumëpalëshe. Ky pezullim, që është në dorën e Serbisë të lihet mënjanë, e bën të kotë çdo narrativë viktimizuese që vjen nga qeveria serbe”.
Bashkëpunimi i Kosovës, Shqipërisë dhe Kroacisë/ Shala: Një hap drejt stabilitetit rajonal
Njohësi i sigurisë, Drizan Shala, në një prononcim për “Bota sot”, ka komentuar reagimin e Beogradit, duke thënë se Serbia po e sheh këtë zhvillim si një sfidë ndaj politikës së saj në rajon.

“Sa i përket reagimit të Beogradit ndaj Memorandumit mes Kosovës, Shqipërisë dhe Kroacisë, është e qartë se Serbia po e sheh këtë zhvillim si një sfidë ndaj politikës së saj në rajon. Megjithatë, ky bashkëpunim nuk ka karakter kërcënues, por përkundrazi synon forcimin e stabilitetit dhe bashkëpunimit rajonal në kuadër të vlerave euroatlantike. Reagimi i Serbisë tregon ndjeshmërinë e saj ndaj çdo forme të afrimit mes shteteve që ajo historikisht i ka konsideruar kundërshtare”, ka thënë ai.
Po ashtu, Shala ka treguar se çfarë reflekton humbja e ndikimit të Serbisë në Ballkanin Perëndimor.
“Sa i përket shqetësimit të Serbisë për përfshirjen e Bullgarisë, kjo reflekton frikën e humbjes së ndikimit të saj në Ballkanin Perëndimor. Bullgaria është një anëtare e BE-së dhe NATO-s dhe çdo mbështetje nga ana e saj do të ishte në përputhje me politikat e sigurisë dhe stabilitetit të rajonit’, ka vlerësuar ai.
Tutje, Shala ka komentuar edhe reagimet e Kosovës, Shqipërisë dhe Kroacisë, duke theksuar se është një sinjal i qartë se vendet e rajonit po ndërtojnë politika të pavarura drejt integrimeve euroatlantike.
“Reagimet e Kosovës, Shqipërisë dhe Kroacisë tregojnë se këto vende janë të vendosura të thellojnë bashkëpunimin mes tyre, pa lejuar që Serbia të diktojë agjendën rajonale. Kjo gjithashtu është një sinjal i qartë se vendet e rajonit po ndërtojnë politika të pavarura, të orientuara drejt integrimeve euroatlantike.
Përsa i përket Serbisë, këto reagime mund të interpretohen si një shenjë e shqetësimit të saj për humbjen e ndikimit rajonal. Nëse Serbia e sheh këtë si një mundësi për të rishikuar politikat e saj dhe për të ndërtuar një qasje më bashkëpunuese, atëherë mund të ketë një ndikim pozitiv. Përndryshe, nëse vazhdon me retorikën e konfrontimit, kjo mund ta izolojë edhe më tej në raport me fqinjët dhe faktorët ndërkombëtarë”, ka potencuar Shala.
Mehazi: Aleanca e Kosovës, Shqipërisë dhe Kroacisë ndalon ‘hienat’ e Vuçiçit”
Kurse, nga ana tjetër, profesori Sulejman Mehazi e ka quajtur Aleancën tri-palëshe një grusht të fortë për botën shoviniste serbe.

“Aleanca Mbrojtëse e tre shteteve është një grusht i fortë për botën shoviniste serbe e cila po shqetëson dhe po kërcënon pandërprerë shtetet e Ballkanin Perëndimor në stilit e egërsuar të kasapit të Ballkanit Milosheviqit”, ka theksuar ai.
Profesori Mehazi e ka vlerësuar idenë për Aleancën Ushtarake, duke thënë se në këtë mënyrë “ndalen hienat e Aleksandar Vuçiçit”.
“Aleanca Ushtarake e Sigurisë dhe Mbrojtjes së Kroacisë, Shqipërisë dhe Kosovës është ide e mrekullueshme për shkak se vetëm në këtë mënyrë ndalen hienat e Aleksandar Vuçiqit i cili psiqikisht, politikisht e ndërkombëtarisht është duke lodhur, kërcënuar me dekada Kosovën, Bosnjë-Hercegovinën dhe Malin e Zi. Dhe deklarata e presidentit të Serbisë, Aleksandar Vuçiqit, tregon se “e ka kuptuar mesazhin”, se për shkak kafshërisë së tij është bërë ky Memorandum Ushtarak të tre shteteve fqinje”, ka shtuar ai.
Gjithashtu, Mehazi ka paralajmëruar se Aleancës Ushtarake duhet t’i bashkohen edhe shtetet e tjera që kufizohen me Serbinë.
“Bile sa më shpejtë kësaj Aleance Ushtarake duhet t’i bashkohen edhe shtetet tjera që kufizohen me Serbinë gjenocidial që për ta ngujuar e shtrydhur këtë politikë fashiste nacionaliste serbe, për t’ia ulur kokën Vuçiqit dhe sojit të tij
Mali i Zi, Bosnjë-Hercegovina kroate – boshnjake dhe Maqedonia Veriore nëse duan të shpëtojnë nga bota nacionaliste, shoviniste, gjenocidiale serbe sa më shpejtë duhet t’i bashkohen kësaj Aleance Ushtarake, pikërisht këta tre shtete do jenë në rrezikshmëri të madhe nga bota serbe e trashëgimtarëve të Millosheviqit.
Lajme të mira vijnë edhe nga Bullgaria për t’iu bashkuar kësaj Aleance Ushtarake, edhe Turqia është duke e ratifikuar Aleancën Ushtarake të Sigurisë së Kroacisë, Shqipërisë dhe Kosovës, kësaj Aleance mbrojtëse duhet t’i bashkohet edhe Hungaria për shkak Vojvodinës.
Dihet se Republika e Kosovës është vogëlushe e dashur e SHBA-ve, gjersa në këtë Aleancë Ushtarake: Kroaci, Shqipëri, Bullgari, Turqi, Kosova do jetë vogëlushja e mikluar e NATO-s.
Memorandumi: Kroaci, Shqipëri, Kosovë, Bullgari dhe Turqi siguron paqë më shumë sesa dialogu Kosovë – Serbi në Brukselin e korruptuar nga serbët e Vuçiqit”, ka përfunduar Mehazi për “Bota sot”.
Burimi: botasot.info