Aleanca për Shqiptarët theu tabunë e kryetarit të përjetshëm, çka do të fitojë kjo parti në krye me Taravarin?

December 26, 2022
min lexim

Shkup, 26 dhjetor – Pozitat e kryetarëve të partive politike janë ndër pozitat më të rralla që ndryshohen, e për ato më pak diskutohet sepse krijohet një bindje që një parti duhet të ketë “një kryetar deri nga lindja deri në vdekje”. Madje duke u bazuar në historinë e partive politike shqiptare por edhe ato maqedonase vërehet qartazi një situatë që ngjanë sikurse “kryetarët e partive politike janë sikurse mjalta me afat të pa skaduar”. Megjithatë, për të diskutuar për ndryshim të kryetarëve partisë shpesh herë reflektohej sikurse kemi të bëjmë me një tabu temë, e ky reflektim nuk kishte ardhur rastësisht sepse kjo flet për gjendjen reale. Por, këtë tabu e theu Aleanca për Shqiptarët, parti opozitare shqiptare që nëpërmjet një kongresi të jashtëzakonshëm ndërroi kryetarin e partisë, krejt kjo e realizuar në formë demokratike, pas dhënies së dorëheqjes së parevokueshme, të ish kryetarit dhe themeluesit të kësaj partie, Ziadin Sela, shkruan Zhurnal.

 

A ndryshohen kryetarët e partive?

Kësaj pyetje edhe njëherë i dha përgjigje të qartë Aleanca për Shqiptarët duke ndërruar kryetarin e partisë. Veprim që mund lirisht të konstatohet si tabu dhe i jashtëzakonshëm, sepse në kushte normale nuk ka qenë kjo praktikë te partitë politike shqiptare, mbase jo vetëm në Maqedoninë e Veriut por edhe në rajon. Aleanca për Shqiptarët është partia e parë politike shqiptare dhe e vetmja që bëri këtë hap të guximshëm për të ndryshuar kryetarin e partisë.

Kryetarët ndryshohen dhe duhet të ndryshohen sipas nevojës duke ju dhënë hapësira të suksesshmëve të udhëheqin me partinë dhe të jenë prijës. Duke mos ndryshuar kryetarët e partive krijohen e kultivohen qasjet despotike që nuk janë aspak të shëndetshme për sistemin e demokracisë.

Të jesh në krye të partisë nuk nënkupton se je mbi partinë e mbi të gjithë, prandaj shumica e kryetarëve të partisë këtë nuk po e kuptojnë ende e po e parapëlqejnë të sillen sikur “mbretër” apo “perandor” pa çka se këto kohëra kanë përfunduar. Askush askund nuk është i përjetshëm edhe kryetarët e partive politike e në veçanti atyre shqiptare duhet ta kuptojnë se cila do pozitë janë të përkohshme dhe të ndryshueshme sipas rrehtanave.

Kongresi i tretë i jashtëzakonshëm në Aleancën për Shqiptarët-

Në kongresin e jashtëzakonshëm të mbajtur në Tetovë, Aleanca për Shqiptarët zgjodhi kryetarin e ri që do t’i prijë kësaj partie, Arben Taravarin. I cili u zotua para të gjithë delegatëve se nuk do të premtojë asgjë por që do të zotohet që do të jetë zëri i të gjithë anëtarëve dhe gjithë qytetarëve.

Ndërkohë largimin e Ziadin Selës nga pozita e kryetarit të partisë rëndë e përjetoi, Elmi Aziri, i cili mbajti fjalim gati 13 minuta e që nuk harrojë të përmendë propagandat që janë realizuar kundër Selës përgjatë kohës sa ishte në krye të partisë.

”Këto qëndrime të Ziadin Selës, nga shumëkush edhe nga një pjesë e madhe e shqiptarëve, u quajtën radikale. Mos të flasim për subjektet politike të etnive tjera. Filloi një propagandë e ashpër, e egër ndaj kësaj figure që rrezatonte, që ngjallte shpresë dhe që i bashkoi shqiptarët” tha deputeti Elmi Aziri.

Ziadin Sela doli dhe tha se e mbajti fjalën edhe për premtimin që e dha publikisht kur u largua nga PDSH, se subjektet politike nuk mund të jenë pronë e një individi.

”Kemi thënë që duhet dhënë fund privatizimit të veprimtarisë politike sepse partitë politike nuk mund të jenë pronë e një individi. E unë jam sot këtu me krenarinë më të madhe për t’iu thënë se unë i qëndrova fjalës ashtu siç i kam qëndruar edhe shumë fjalëve tjera deri më tani”, tha Ziadin Sela, ish kryetar i ASH-së.

Ashtu siç e përcollën Selën, delegatët e Aleancës për Shqiptarët pritën Taravarin. Vetëm dy delegatë ishin të përmbajtur, e njëri kundër. Dhe me shumicë votash Taravari u zgjodh në krye të partisë, edhe pse gati tre muaj ishte ushtrues detyre i kësaj pozite.

Fjalimin e parë si kryetar i këtij subjekti e nisi me modesti. ”Në kohët moderne politikanët premtojnë shumë. Sa më shumë që premtojnë, fatkeqësisht aq më shumë gënjejnë. Unë nuk do të premtoj asnjë gjë. Unë sot zotohem se do të jem zëri, arsyeja, këmbëngulja e secilit nga ju. Unë jam ju!”, tha Arben Taravari, kryetar i ASH-së.

Çfarë do të ndryshojë në ASH në krye me Taravarin?

Aleanca për Shqiptarët periudhën e fundit pati pësuar një “kolaps” përbrenda partisë duke u shkaktuar pakënaqësi të mëdha, me dalje të anëtarëve të ndryshëm nga parti si anëtarë të pakënaqur. Mbase, problemi nuk qëndronte te ish kryetari i partisë, Ziadin Sela, pasi ky i fundit u pati munduar të ngrit partinë në vendin e duhur. Por, jaqë ishin paraqitur persona të pakënaqur përshkak të mos mundësisë së tyre për t’i realizuar objektivat e tyre.

Tani, me ardhjen e Arben taravarit në krye të partisë së fundmi ka pasur aderime të shumta në Aleancën për Shqiptarët, kryesisht profesionist të fushave të ndryshme prej të cilëve shpresohet që do të japin kontributin e tyre në fushat përkatëse ku edhe janë të profersionilizuara.

Ajo çfarë u vërejt si ndryshim që nga periudha tre mujore që Taravari ishte ushtrues detyre i kryetarit të ASH-së ishin aderimet e shumta dhe asnjë lajm për dalje të ndonjë anëtarit nga ASH si i pakënaqur. Tani, që është zgjedhur zyrtarisht kryetar i ASH pritet që të bëjë ristrukturim të degëve e nëndegëve, rifreskim i partisë edhe me anëtarë të tjerë të rinj, që të jetë një rikthim i fuqishëm i kësaj partie në skenën politike në Maqedoninë e Veriut, gjë që ndikon pozitivisht në faktorizimin e partive politike shqiptare.

Si qëndron gjendja te kryetarët e partive tjera?

Kongresi i ASH-së ishte një shpresë për të gjithë anëtarët e kësaj partie që ndryshime të mëdha po ndodhin të cilat pastaj mund të jenë të favorshme për secilin prej tyre duke marr atë që kanë nevojë, dhe duke bërë reforma drastike në situatën e rënduar për qytetarët.

Përndryshe, në kampin politik shqiptarë ka edhe katër parti të tjera që janë aktive dhe janë të përfaqësuara edhe në Kuvend. Bashkimi Demokratik për Integrim që nga themelimi ka po të njëjtin kryetar e as që është menduar për ndryshim të tij deri sa të pensionohet politikisht. Lëvizja Besa, parti opozitare shqiptare në krye me Bilall Kasamin që nga themelimi edhe sot e tutje udhëhiqet po nga i njëjti kryetar. Alternativa dhe Partia Demokratike Shqiptare ndër paritë më të dobëta në kampin shqiptarë kanë po të njëjtit kryetar.

Megjithatë, ndryshimet e tilla në kampin shqiptarë janë shembuj të së mirës se edhe në partitë shqiptare ka demokraci dhe ka hapësirë për të gjithë. Por, më e rëndësishme se kjo duhet të jetë fakti që partitë politike shqiptare duhet të jenë mirë të konsoliduara që t’i bëjnë ballë përpjekjes për de-faktorizimin e tyre. Partitë shqiptare duhet të jenë të reformuara thellësisht që të jenë në gjendje të bëjnë ndryshime drejtë faktorizimit dhe përmirësimit të jetesës pët të gjithë qytetarët pa dallim, në veçanti të shqiptarëve që janë të shtypur sidomos nga institucionet e drejtësisë. /Zhurnal.mk

Burimi: zhurnal.mk

MARKETING

MARKETING

RENT A CAR

MARKETING

Story i mëparshëm

Lëkundje tërmeti në vend

Story i radhës

Gjendje e jashtëzakonshme në Pirot të Serbisë, mbi 50 persona me simptoma të helmimit

Të fundit nga

Prishtina barazon me kampionin

Prishtina ka barazuar me rezultat 1:1 me kampionin në fuqi, Ballkanin e Therandës, në takimin që u luajt nën dritat e reflektorëve në stadiumin “Fadil Vokrri” në Prishtinë. Futbollisti Bleart Tolaj ka
ShkoLartë