Gazetari Idro Seferi vlerëson se mund të ketë eskalime serioze në veri nëse nuk arrihet zgjidhje nëpërmjet dialogut mes Kosovës dhe Serbisë.
Seferi, në Rubikon në Klan Kosova, teksa po qëndron në veri tha se kjo situatë dallon shumë nga herët tjera pasi ka një gatishmëri për konfrontim.
“Nga ajo që kam parë këto dy ditët e fundit duket një situatë që dallon shumë nga herët tjera kur kemi pasur barrikada dhe tensione gjatë viteve të fundit. Një situatë që duket se mund të eksalojë në rast se forcat policore të Kosovës do të marrin veprime në veri për të larguar barrikadat”, tha Seferi.
“Situata duket mjaft e tensionuar, dikur ka pas frekuentim më shumë gjatë natës ndërsa tani vërehet një gatishmëri për konfrontim dhe tensioni është i madh. Janë mbyllur të gjitha llojet e shërbimeve që janë në veri përveç atyre për nevoja elementare. Situata tashmë duket më e rëndë se më përpara dhe ka mundësi për tensione më serioze nëse nuk do të ketë një zgjidhje nëpërmjet dialogut” u shpreh Seferi.
Seferi, mes tjerash, tha se edhe sfera ndërkombëtare është angazhuar për të shtensionuar situatën në veri.