Një alarm për bombë u raporua këtë të hënë pranë Ambasadës Ukrainase në Tiranë, duke shkaktuar rritje të menjëhershme të sigurisë në zonë. Forca të shumta policie u dërguan në vendngjarje, përfshirë edhe njësinë antieksploziv, e cila u thirr për të hetuar dhe neutralizuar çdo kërcënim të mundshëm.
Policia rrethoi zonën për të garantuar sigurinë e publikut dhe personelit të ambasadës, ndërsa njësitë e specializuara kryen kontrolle të hollësishme.
Sipas burimeve të Euronews Albania, alarmi për bombë pranë Ambasadës Ukrainase ka mbërritur përmes një emaili të dërguar në adresën e ambasadës. Pas hetimeve të kryera nga njësia antieksploziv dhe kontrollit të hollësishëm të ndërtesës, është konfirmuar se alarmi ka qenë i rremë.
Pas verifikimeve, stafi i ambasadës është rikthyer brenda godinës dhe situata tashmë është në normalitet. Policia vazhdon hetimet për të identifikuar burimin e këtij alarmi të rremë.
BURIMI: Bota Sot