Ministri i Drejtësisë Ulsi Manja komentoi nga Foltorja e Kuvendit akuzat e opozitës në lidhje me Portin e Durrësit dhe amnistinë fiskale që pritet të ndërmerren nga maxhoranca socialiste.
Manja tha se projekti i Portit të Durrësit është një projekt që do të diktojë zhvillimin e ekonomisë shqiptare në dekadën që vijon. Ndërkohë që për sa i përket amnistisë fiskale, ministri i Drejtësisë tha se qëllimi është pozitiv, për t’i ardhur në nevojë shqiptarëve të ndershëm që kanë 32 vite që punojnë në emigracion.
“Më 12 nëntor shqiptarët në Britani mbajtën një protestë shumë dinjitoze, pasi sot shqiptarët në Evropë dhe botë janë të integruar dhe kontributor në ekonomitë e këtyre vendeve.
Më bëri përshtypje se njëri nga bashkatdhetarët që protestonte aty tha se një pjesë e të këqijave na vjen nga Shqipëria. Sepse jemi ne në këtë sallë, një pjesë e jona këtu, që nuk flet për modelet pozitive të shqiptarëve në botë por flet për krim, banda për shitje dhe tradhti. Këtë gjë të nderuar koleg e kemi bërë ne. Ju flisni për Portin e Durrësit, duroni të vijë marrëveshja në parlament, pse jo ta diskutojmë, por nuk mund t’i biem me shkelm një investimi që do të projektojë ekonominë shqiptare për dekadën në vijim.
Flisni këtu për amnistinë si një gjëmë e madhe, por mirë mor të nderuar koleg nuk janë pjesë e jona ata shqiptare që kanë punuar 32-vite në emigracion. Nuk mendoni se ka ardhur koha që sot që kemi një sitëm drejtësie të pavarur dhe organe të specializuar për pastrimin e parave që t’ia japim këtë mundësi bashkatdhetarëve tanë
Flitet për amnistinë fiskale sikur po e bëjmë fshehtas me partnerët dhe presim të marrim ekspertizën më ët mirë. Qëllimi i kësaj amnistie është pozitiv dhe ka si qëllim interesat e shqiptarëve të ndershëm”, tha Manja.