Aktorja e njohur franceze, Nadia Fares, ndodhet në gjendje të rëndë shëndetësore pasi është vendosur në koma të induktuar, pas një ngjarjeje serioze të ndodhur gjatë stërvitjes në një pishinë në Paris.
Sipas mediave franceze, përfshirë Le Parisien, incidenti ka ndodhur të shtunën, më 11 prill, në një kompleks sportiv në kryeqytet, ku 57-vjeçarja po zhvillonte aktivitetin e saj fizik.
Dyshohet se aktorja ka qëndruar për disa minuta nën ujë pa mundur të dalë në sipërfaqe. Dy persona që ndodheshin në pishinë kanë reaguar menjëherë, duke e nxjerrë nga uji dhe duke konstatuar se ajo nuk po merrte frymë.
Ata kanë nisur menjëherë procedurat e reanimacionit kardiopulmonar (CPR), ndërsa është përdorur edhe një defibrilator deri në mbërritjen e ekipeve të emergjencës. Falë ndërhyrjes së shpejtë të dëshmitarëve, ajo është stabilizuar fillimisht, por gjendja e saj mbetet ende kritike.
Aktualisht, Fares ndodhet e shtruar në kujdes intensiv dhe mbahet në koma të induktuar, ndërsa mjekët po e monitorojnë vazhdimisht.
Ndërkohë, autoritetet franceze kanë nisur një hetim për të zbardhur plotësisht rrethanat e ngjarjes. Sipas informacioneve paraprake, nuk ka dyshime për veprim të qëllimshëm, por po shqyrtohen edhe pamjet e kamerave të sigurisë për të kuptuar me saktësi se çfarë ka ndodhur.
Burimi: botasot.info


