Aktores britanike, Emma Thompson, iu deshën plotë 62 vite për të xhiruar skenën e saj të parë lakuriq.
Aktorja britanike, fituese e çmimit Oscar foli për filmin e saj të ri “Good Luck to You Leo Grande” në panelin virtual “Cinema Café” në Festivalin e Filmit “Sundance”.
Gjatë fjalimit të saj ajo u fokusua në mënyrën se si Hollywood i trajton gratë e moshuara, por edhe sesi industria promovon trupa të pavërtetë.
Edhe pse sqaroi se nuk e ka problem me personat që vendosin të bëjnë ndërhyrje estetike në trupin e tyre, ajo beson se Hollivudi nuk duhet të fokusohet vetëm tek këta trupa, pasi krijojnë pritshmëri joreale.
Në filmin e saj të ri, ajo luan rolin e një të ve, e cila punëson një punonjës seksi për të zbuluar seksualitetin e saj dhe për të përjetuar, për herë të parë në jetën e saj, një orgazmë të vërtetë.
Megjithatë ajo pranoi se ishte mjaft e vështirë të qëndronte krejtësisht e zhveshur në moshën 62-vjeçare dhe se ndoshta nuk mund të xhironte një skenë të ngjashme në një fazë tjetër të karrierës dhe jetës së saj.
“Nuk mendoj se mund ta kisha bërë më shpejt, jo se ishte e lehtë për mua tani. Sigurisht që ka rol edhe mosha, pasi nuk jemi mësuar të shohim në ekran trupin e zhveshur të një 62-vjeçareje. Asgjë nuk ka ndryshuar në kërkesat e shoqërisë ndaj grave dhe Hollivud-i është përgjegjës për këtë.”
Aktorja tregoi se në një skenë të filmit ajo ulet para pasqyrës, hedh rrobat dhe qëndron krejtësisht e zhveshur. Ajo shpreson që me filmin e saj të ri diskutimi për gruan dhe trupin femëror do të intensifikohet dhe do të çojë në rezultate pozitive në të ardhmen.