Tri shoqëritë pensionale Shoqëria pensionale Sava SHA Shkup, KB shoqëria e parë pensionale SHA Shkup dhe Shoqëria pensionale Trigllav SHA Shkup, sot mbollën parkun e trembëdhjetë pensional në kampusin në kuadër të Fakultetit Juridik në Shkup, si pjesë e fushatës “Mbill një dëshirë për një të ardhme të qëndrueshme”.
Vazhdimi i katërt i fushatës këtë vit, përveç 4 parqeve të reja pensionale, sjell edhe përmbajtje të reja edukative për sistemin pensional të Maqedonisë dhe përfitimet e anëtarësimit në fondin pensional të detyrueshëm dhe vullnetar, përmes aktiviteteve online dhe offline.
Gjatë evenimentit të sotëm, shoqëritë pensionale ndanë informacione të vlefshme për avantazhet e zhvillimit të shprehive të forta të kursimit, marrjen e vendimeve të mençura financiare dhe investimin në të ardhmen personale. Siç theksuan ata, këto janë gjithashtu aspekte thelbësore të një edukimi të mirë juridik, ku aftësia për të menduar në mënyrë strategjike për ndikimet afatgjata të veprimeve të sotme është parësore.
Me këtë rast, me një fjalim inspirues u drejtua edhe dekani i Fakultetit Juridik, Prof. Dr Sasho Georgievski.
“Kjo është një nga detyrat e mia më të bukura si dekan, sepse bëhet fjalë për një fushatë vërtet të mrekullueshme dhe fisnike e inkurajuar nga tre shoqëritë pensionale, me mbështetjen e Agjensionit për mbikëqyrjen e finansimit kapital të sigurimit pensional MAPAS.
Një fushatë që ka edhe simbolikën në emrin e saj – Mbill një dëshirë, ndërsa jeta drejtohet pikërisht nga dëshirat dhe ambicia. Këta janë forcat që na bëjnë të fillojmë prej diku, duke ditur se ku jemi duke shkuar për t’i arritur synimet që kemi vendosur.
Në këtë rast, synimi ynë është të përmirësojmë mjedisin jetësor, që ta pasurojmë jetesën tonë, punën tonë, praktikisht të gjithë atmosferën në të cilën funksionojmë. Ky është parku ynë i parë pensional i cili do ta zbukurojë oborrin tonë me 15 fidanë dhe një stol të ri”, tha profesor Georgievski.
Në emër të tri kompanive pensionale studentëve iu drejtua dr. Petar Taleski, anëtar i Bordit Drejtues të Shoqërisë Pensionale Sava SHA Shkup.
“Rrallëherë ndonjë aktivitet është kaq fisnik dhe ka një ndikim kaq simbolik, ndërsa nga ana tjetër edhe ndikim real në mjedis sa mbjellja e thjeshtë e vetëm një fidani.
Në mënyrë të ngjashme me këtë, vendimi i thjeshtë për t’u bërë pjesë e një fondi pensional, për të lënë mënjanë shumat simbolike në fillim, do të ndikojë ndjeshëm në të ardhmen tuaj më të mirë në planin afatgjatë, ashtu siç do të bëjë ky fidan kur pas 30-40 vjetëve do të arrijë fuqinë dhe bukurinë e tij të plotë.
Megjithatë, për të arritur deri në atë moment, ne duhet të kujdesemi për atë fidan, ta ruajmë dhe mbrojmë atë, në mënyrë që të arrijë madhësinë dhe efektin e tij të vërtetë ndaj mjedisit. Gjithashtu, me kalimin e viteve do të duhet të kujdeseni edhe për kursimet tuaja pensionale, t’i ndërtoni gradualisht, sigurisht së bashku me ekipet profesionale të shoqërive pensionale.
Një thënie e famshme nga bota financiare thotë: “Qetësia financiare nuk ka të bëjë me hasjen e gjërave. Në fakt, është të mësuarit se si të jetoni me më pak se sa fitoni, në mënyrë që të mund të paguani dhe të keni para për të investuar. Ju nuk mund të jeni fitues derisa ta bëni këtë” – Dave Ramsey. Filloni të jetoni në kohë me më pak se sa fitoni, lini një pjesë të saj për kursimet e ardhshme pensionale dhe investoni pjesën tjetër në produkte të tjera financiare, në mënyrë që t’i siguroni vetes një jetë më të mirë dhe një pleqëri më të qetë”, deklaroi Dr. Taleski.
Pas aktiviteteve edukative, përfaqësuesit e shoqërive pensionale së bashku me studentët mbollën parkun e ri pensional.
Të gjitha informatat dhe aktivitetet në lidhje me fushatën “Mbill një dëshirë për një të ardhme të qëndrueshme” janë të disponueshme në ueb faqen www.penzija.mk
Mbikëqyrës i sigurimit pensional me financim kapital është Agjensioni për mbikëqyrjen e finansimit kapital të sigurimit pensional (MAPAS) www.mapas.mk tel. 02/32 24 229
Burimi: TV21