Të mërkurën, mijëra gra, por edhe burra, kanë protestuar në qendër të kryeqytetit për rastin e përdhunimit të 11-vjeçares dhe dhunën seksuale ndaj grave në përgjithësi.
Në këtë protestë e cila nisi nga sheshi “Zahir Pajaziti”, morën pjesë edhe shumë fytyra publike, përfshirë këtu politike dhe personazhe VIP të estradës shqiptare.
Ajo që është komentuar gjithandej në rrjete sociale ishte Dafina Zeqiri. Ajo ka bërë vazhdimisht thirrje për të dalë në protestë përmes llogarive të saj në rrjete sociale, madje ka qenë edhe shumë e zëshme rreth rastit që tronditi mbarë shqiptarinë.
Megjithëse Dafina mori pjesë bashkë me të dashurin e saj DJ Geek dhe ekipin e Moneyz, ajo nuk ishte e kënaqur me organizimin.
Këngëtarja ka përdorur sërish rrjetet sociale për të treguar se organizatoret nga Kolektivi për Mendim dhe Veprim Feminist, e kanë diskriminuar.
Përmes disa replikave poshtë një postimi në Instagram, Dafina tha se organizatoret i kanë ‘bërtitur’ dhe i kanë thënë që s’kanë të drejtë të shihen në protestë.
“Ishin plot çika aty afër nesh që nuk e kuptuan PSE e bënin këtë sjellje ndaj”, tha ndër të tjera artistja.Këtyre deklaratave i ka kthyer përgjigje aktivistja Neri Ferizi përmes dy postimeve në Facebook.
Ajo fillimisht i tha Dafinës përmes këtij rrjeti sociale, se kur të reagojë për kolegët e saj që kanë aktakuza për përdhunim (referuar këtu rastit të reperit Gjiko, për të cilin disa media kanë siguruar një aktakuzë që tregonte se i njëjti ka përdhunuar një femër shumë vjet më parë), ‘atëherë të ftojnë në organizim, jo vetëm në rendin e parë’.
Tutje, Ferizi ka thënë se disa nga figurat publike të artit në Kosovë përdorin gjuhë seksiste dhe bëjnë thirrje për dhunë, duke e shtuar si një prej arsyeve ‘neglizhencën’ për Dafina Zeqirin.
“Duke qenë e vetëdijshme që shumë njerëz partiak, njerëz të qeverisjes i kanë shfrytëzuar edhe më parë protestat për kalkulime politike, e po ashtu të gjithë e dijmë që disa nga figurat publike të artit në Kosovë përdorin gjuhë seksiste e bëjnë thirrje për dhunë dhe mund të kërkojnë të jenë në krye të protestës, e kështu do të devijonim nga koncepti i kësaj proteste të organizuar. Për ne ka qenë e rëndësishme me përçu një mesazh tek institucionet gjegjëse për me kriju mekanizma që na mbrojnë, dhe që ne nuk do të dorezohemi deri në plotësimin e kërkesave tona, e që kërkesat tona kanë qenë plotësisht të sinqerta”.
“Ne e falenderojmë çdo njërin që ka qenë pjesë e protestës dhe njëkohësisht presim prapë përkrahje në protestat e ardhshme. Kauza nuk është personale, por është e të gjithë neve. Protesta është mjet demoktatik, që lyp organizim, prandaj ne si organizatore e kemi ndje obligim me u kujdese për disa vlera që zeri yne të jetë i çilter dhe i pastërt dhe të arrij efektin e saj”, ka shkruar aktivistja Ferizi.
Një gjë pak a shume e ngjashme ka ndodhur në protestën e mbajtur në Tiranë për po të njëjtën kauzë.
Edhe në sheshin “Nënë Tereza” gratë marshuan për drejtësi pas rastit të përdhunimit të 11-vjeçares.
Atje, këngëtarja Fifi është ‘përplasur’ me një aktiviste të shoqërisë civile e cila në fjalën e saj falënderoi Zhaklina Lakatarin dhe Xhenin Karain për organizim të protestës.
Këtë gjë e mohoi këngëtarja, duke thënë se ishte pikërisht vetë ajo që ka bërë thirrje për protestë.
11-vjeçarja dyshohet se u përdhunua të shtunën e 27 gushtit nga pesë persona.
Të dyshuarit janë arrestuar dhe ndaj tyre është caktuar masa e paraburgimit prej 30 ditësh, secilit veç e veç.