Thatësira në bujqësi është një nga pasojat më të dukshme të ndryshimeve klimatike. Ndryshimet klimatike lënë pasoja të rënda mbi biodiversitetin. Rritja e temperaturave, pakësimi i burimeve ujore dhe fatkeqësitë natyrore gjithnjë e më të shpeshta anembanë botës tregojnë se çështja e ndryshimeve klimatike ka arritur në një pikë ku nuk mund të shtyhet më. Kriza klimatike duhet të shihet jo vetëm si krizë ekologjike, por edhe si krizë sociale, ekonomike dhe humanitare. Gazetarët dhe punonjësit e mediave duhet të dinë si të arrijnë deri te të dhënat e sakta dhe si të raportojnë në mënyrë etike për çështjet klimatike. Këto ishin disa nga thekset e paraqitura në trajnimin e parë teorik dhe praktik për gazetarë të rinj, punonjës mediash, studentë dhe aktivistë për mjedisin jetësor dhe ndryshimet klimatike, me titullin “Objektivi i gjelbër”.
GAZETARIA ËSHTË ART I PARASHTRIMIT TË PYETJEVE TË DREJTA
Në këtë trajnim për ndryshimet klimatike, përveç pjesëmarrësve nga Maqedonia e Veriut, ishin të pranishëm edhe përfaqësues nga Rumania, Turqia dhe Franca. Aktiviteti disaditor u realizua në hapësirat e Agjencisë Anadollu në Ankara. Gjatë trajnimit u theksua se çështjet klimatike janë ndër më urgjentet në nivel global. Ekspertë të kësaj fushe folën mbi pasojat e ndryshimeve klimatike dhe mënyrën e identifikimit të dezinformatave dhe lajmeve të rreme.
– Kriza klimatike dhe ndryshimet klimatike janë probleme me shumë dimensione. Njerëzit nuk dëshirojnë të lexojnë lajme të këqija, prandaj shmangin informacionet për ndryshimet klimatike. Edhe nëse i lexojnë, nuk besojnë se ato mund të çojnë në katastrofa të mëdha. Disa i mohojnë ndryshimet klimatike, të tjerë thonë se janë të natyrshme. Ekzistojnë gjithashtu edhe dezinformata në vetë gazetarinë klimatike – u theksua në trajnim.
Ozan Bakır, gazetar në Agjencinë Anadollu, tha se duhet të jemi të kujdesshëm kur ndajmë informacione mbi ndryshimet klimatike dhe se gazetarët duhet të mbështeten te ekspertët shkencorë. Sipas tij, gazetaria është art i parashtrimit të pyetjeve të drejta.
Hamza Fazliu, përfaqësues i Institutit për Demokraci dhe Politika Publike “Polis” nga Shkupi, pjesëmarrës në trajnim, theksoi:
– Jam për herë të parë në Ankara dhe jam i mahnitur nga kontrasti i mrekullueshëm mes historisë antike dhe jetës moderne. Qyteti pulson me energji, me njerëz të ngrohtë dhe mikpritës që na bënë të ndihemi si në shtëpi. Ushqimi tradicional turk ishte një aventurë më vete për shijen time. Monumentet historike, shëtitjet nëpër rrugicat e ngushta plot jetë – kjo udhëtim më inspiroi dhe më bëri të dashurohem me këtë qytet, duke më lënë me një dëshirë të zjarrtë për t’u kthyer sërish – tha ai.
Për kënaqësinë tonë, një nga mikpritësit tanë ishte edhe Hakan Güvenioğlu, koordinator i projektit, i punësuar në AA, i lindur në Gostivar dhe shtetas i Maqedonisë së Veriut. Me të, ashtu si edhe me të gjithë të tjerët, kaluam kohë të mirë duke diskutuar për punën gazetareske dhe sfidat që sjell raportimi për ndryshimet klimatike.
TRE HERË MË E MADHE ËSHTË PËRGJEGJËSIA E GAZETARIT NË RAST KATASTROFASH
Çdo fjalë e gazetarit ka rëndësi, u theksua në trajnim. Gazetari nuk duhet të ekzagjerojë apo “t’i fryejë” informacionet. Ai duhet të jetë i ndjeshëm, objektiv dhe etikisht korrekt. Nuk duhet të frikësojë popullatën. Duhet të shkruajë në mënyrë të kuptueshme dhe pa sensacionalizëm. Sepse, siç u tha, përgjegjësia e gazetarit trefishohet në rast katastrofash.
Ekipi pesëanëtarësh nga Maqedonia e Veriut pati një udhëtim të këndshëm me aeroplan nga Shkupi në Stamboll e pastaj në Ankara dhe kthim. Akomodimi në hotel ishte i shkëlqyer dhe kaluam disa ditë të paharrueshme në hapësirat moderne të Agjencisë shtetërore të lajmeve Anadollu. Vizituam monumentet historike të kryeqytetit, provuam specialitetet turke dhe shijuam çajin e kafetë tradicionale të përgatitura në rërë.
Trajnimi u organizua nga Agjencia Anadollu me mbështetjen e Bashkimit Evropian dhe Agjencisë Kombëtare Turke. Nga pala e Maqedonisë së Veriut, partner në projekt është Instituti Polis – shoqatë qytetare për demokraci dhe politika publike me seli në Shkup. Brenda këtij projekti, trajnimet do të vazhdojnë deri në fund të vitit 2026.
Zekerija Berisha, kryetar i Shoqatës së Qytetarëve “Instituti për Demokraci dhe Politika Publike Polis” nga Shkupi, thekson se është kënaqësi të jenë pjesë e këtij projekti, ku përveç Agjencisë Anadollu marrin pjesë edhe partnerë nga Rumania, Franca, Turqia dhe vetë ata, me fokus tek ndryshimet klimatike si problem global që i kanoset njerëzimit.
Në trajnim u theksua se çdo njeri mund të kontribuojë në luftën kundër ndryshimeve klimatike dhe në ruajtjen e natyrës dhe mjedisit jetësor. Për shembull, duke kursyer ujin e pijshëm dhe duke përdorur transportin publik në vend që të udhëtojë vetëm me veturë.
Burimi: alfax.mk