Një djalë i ri u arrestua nga policia e Tiranës, ndërsa shoku që ishte bashkë me të u procedua në gjendje të lirë, pasi blutë i ndaluan dhe kontrolluan gjatë operacionin të koduar “Miks”, për goditjen e shpërndarjes së drogave të forta.
Operacioni u zhvillua nga Seksioni për Hetimin e Narkotikëve në DVP Tiranë.
“Në afërsi të Brrylit, shërbimet e Policisë kanë lokalizuar shtetasin D. L. dhe shtetasin G. D.
Gjatë kontrollit fizik ndaj shtetasit D. L. dhe kontrollit në banesën e tij, shërbimet e Policisë gjetën dhe sekuestruan, në cilësinë e provës materiale, lëndë të dyshuar narkotike, rreth 65 tableta ekstazi, sasi lënde narkotike MDMA dhe LSD, sende që shërbejnë për konsumimin e lëndëve narkotike dhe shuma parash që dyshohet se janë përfituar nga ky aktivitet kriminal.
Nga veprimet hetimore ka rezultuar se ky shtetas pasi siguronte lëndët narkotike ekstazi, kokainë, LSD dhe MDMA, i shpërndante ato në zona të ndryshme të Tiranës, kryesisht në afërsi të Bllokut, Unazës së Re dhe Ish-stacionit të Trenit”, bën me dije policia.
Në pranga ra shtetasi D. L., 35 vjeç, banues në Tiranë. Ndërsa u procedua penalisht në gjendje të lirë shtetasi G. D., 27 vjeç, banues në Tiranë, për veprën penale “Moskallëzimi i krimit”.
Materialet i kaluan Prokurorisë, për veprime të mëtejshme procedurale.