Aksidentohet autobusi me emigrantë në Itali, 2 të vdekur

min lexim

Një autobus që po transferonte dhjetëra emigrantë nga ishulli i vogël Lampedusa për në rajonin verior të Piemontes, është përplasur me një kamion të enjten mbrëma, duke lënë të vdekur dy shoferët dhe të lënduar 25 persona, raporton Anadolu.

Aksidenti ka ndodhur në autostradën afër Romës, ndërsa emigrantët, të cilët kishin mbërritur në Lampedusa, u transferuan në qendrat e pritjes në veri, thanë autoritetet.

Dy prej emigrantëve janë lënduar rëndë, ndërsa të tjerët më lehtë.

Përplasja ndodhi mes një situate emergjente në ishullin jugor të Lampedusas, ku mijëra emigrantë kanë zbritur në ditët e fundit pasi i mbijetuan kalimeve të rrezikshme në përpjekje për të arritur në brigjet evropiane.

Qendra e pritjes në Lampedusa ka qenë e mbingarkuar, ndërsa autoritetet kanë punuar për të transferuar në territorin kontinental mijëra njerëz që kanë mbërritur me varka të vogla dhe të brishta.

Kryqi i Kuq tha se ka ende 4.200 emigrantë në qendër nga 6.800 që arritën në ishullin e vogël turistik me një flotilje prej rreth 120 varkash që u nisën nga Tunizia.

Italia së fundmi nënshkroi një marrëveshje riatdhesimi me Tunizinë për të kthyer tunizianët që nuk kualifikohen për azil, por jo me shumicën e vendeve të tjera, emigrantët e të cilëve vijnë në Itali.

Sipas Ministrisë së Brendshme, gati 126.000 emigrantë kanë arritur në Itali përmes detit këtë vit deri më tani, gati dyfishi i numrit në të njëjtën kohë të vitit të kaluar.

Fluksi rekord i emigrantëve po shton presionin mbi qeverinë e krahut të djathtë të kryesuar nga kryeministrja Giorgia Meloni, e cila kishte premtuar një goditje ndaj migracionit të paligjshëm gjatë fushatës elektorale që çoi në zgjedhjen e saj shtatorin e kaluar.

Të enjten, zëvendëskryeministri dhe udhëheqësi i partisë “Liga”, Matteo Salvini, e quajti rritjen e ardhjeve të emigrantëve në ditët e fundit si “akt lufte”, duke shtuar se qeveria është e gatshme të zbatojë “çdo mënyrë të mundshme” për të ndaluar fluksin.

“Rruga diplomatike është thelbësore për t’u ndjekur, por e gjithë qeveria po punon ditë e natë dhe nuk përjashtoj asnjë lloj ndërhyrjeje”, tha ai.





Story i mëparshëm

Besimi: Jemi të fokusuar tek urgjenca e vendosjes së vendeve të Ballkanit Perëndimor në rrugën e shpejtë drejt BE-së

Story i radhës

Begaj takoi zëvendëspresidenten bullgare: Tirana dhe Sofja me marrëdhënie shumë të mira

Të fundit nga