Një aksident i rëndë me dy viktima dhe një të plagosur është shënuar në orët e para të së shtunës në aksin rrugor “Milot – Tuneli Kalimashit”, në vendin e quajtur “Vau Shkjeze”, Rrubik.
Policia bën me dije se në këtë aksident, një 35-vjeçar ka humbur kontrollin mbi mjetin dhe është përplasur me mbrojtëset metalike anësore të rrugës.
Për pasojë, ai ka mbetur i plagosur rëndë, ndërsa për fat të keq, kanë humbur jetën dy pasagjerët që udhëtonin me të, dy të rinj nga Tirana, të moshave 30 dhe 31 vjeçare.
Korespondenti i Panorama ka mësuar se Denis Gjeta dhe Marius Çeça janë viktimat e këtij aksidenti të rëndë. Ndërsa i plagosur është shtetasi Marsel Busho.
Mirditë / Informacion paraprak
Rreth orës 02:30, në aksin rrugor “Milot – Tuneli Kalimashit”, në vendin e quajtur “Vau Shkjeze”, Rrubik, ka ndodhur një aksident automobilistik.
Shtetasi M.B. duke udhëtuar në këtë aks rrugor me automjet, ka humbur kontrollin mbi drejtimin e tij, ku mjeti është përplasur me mbrojtëset metalike anësore të rrugës.
Për pasojë kanë humbur jetën dy pasagjerët që ndodheshin në mjet, konkretisht shtetasit M.Ç. 31 vjeç, dhe D.Gj. 30 vjeç, banues në Tiranë, ndërsa drejtuesi i mjetit shtetasi M.B. 35 vjeç, ndodhet në Spitalin e Traumes Tiranë, nën kujdesin e mjekëve.
Grupi hetimor vazhdon punën për sqarimin e plotë të rrethanave të aksidentit.