Reagimi ynë ndaj kryetarit të Komunës së Kumanovës, Maksim Dimitrievskit, ishte i drejtpërdrejtë: Pse gjuha shqipe është lënë jashtë mbishkrimeve në Sallën e Sporteve?
Për fat të keq, sot duket se edhe këshilltarët e VLEN-it kanë zgjedhur të dalin në mbrojtje të Maksim Dimitrievskit, në vend që të përqendrohen te çështja thelbësore. Të nderuar, kjo është çështja që duhet të marrë përgjigje dhe asnjë përpjekje për ta zhvendosur debatin nuk e zbeh përgjegjësinë institucionale.
Fakti që projekti është hartuar në vitin 2018 nuk mund të shërbejë si alibi për askënd që sot ushtron pushtetin. Përgjegjësia nuk matet me datën kur është hartuar projekti, por me gatishmërinë për të garantuar zbatimin e ligjit.
Nëse këshilltarët e VLEN-it kanë arritur marrëveshje për plotësimin e mbishkrimeve edhe në gjuhën shqipe, atëherë le ta dëshmojnë këtë me vepra. Çdo hap drejt respektimit të të drejtave gjuhësore është i mirëpritur, por deklaratat nuk janë zgjidhje dhe premtimet nuk janë rezultate.
Përpjekjet për t’ua faturuar fajin të tjerëve nuk e ndryshojnë realitetin. Sot kemi një problem konkret që kërkon ndërhyrje konkrete. Qytetarët presin përgjegjësi dhe veprim, jo arsyetime politike.
Gjuha shqipe nuk është dekor që vendoset vetëm pasi dikush reagon, as privilegj që jepet sipas vullnetit të pushtetit. Respektimi i saj është detyrim ligjor dhe institucional.
Ne do ta vlerësojmë këtë çështje sipas rezultatit përfundimtar: a do të vendosen mbishkrimet edhe në gjuhën shqipe, siç kërkohet, apo do të mbetemi sërish vetëm te premtimet?
Ligji duhet të zbatohet, jo të interpretohet sipas interesave politike.
Është për t’u habitur se pse kësaj here keni vendosur të flisni, kur për gati një vit jemi mësuar me heshtjen tuaj. Zëri juaj në Këshillin Komunal pothuajse nuk është dëgjuar asnjëherë për çështje të tilla!
E kuptojmë se ndodheni në një pozitë të vështirë, sidomos pas përzgjedhjes suaj nga Maksi, në një proces që, sipas vlerësimit tonë, nuk mbështetet në legjitimitetin e shqiptarëve të Kumanovës.
Këshilltarët e AKI-së, Kumanovë
Burimi: lajmpress.org



