AKEP miraton bashkimin e Albtelecom me ONE dhe rishpërndarjen e frekuencave mes dy operatorëve të mbetur celularë

min lexim

Autoriteti i Komunikimeve Elektronike dhe Postare (AKEP) i ka hapur rrugë bashkimit mes operatorëve ONE dhe Albtelecom, duke filluar nga data 1 janar 2023.

Këshilli Drejtues pranoi kërkesën e paraqitur nga dy operatorët për miratimin e transferimit të të drejtave të përdorimit të frekuencave të dhëna sipas regjimit të autorizimit individual dhe regjimit të autorizimit të përgjithshëm si dhe për transferimin e të drejtave dhe detyrimeve të caktuara në aktet rregullatore të nxjerra nga AKEP nga sipërmarrësi Albtelecom te sipërmarrësi One Telecommunications.

Ashtu siç ishte paralajmëruar, kompania më e vjetër e telekomunikacioneve në vend, Albtelecom do të shkrihet edhe të gjitha shërbimet fikse dhe të lëvizshme të komunikimit pas bashkimit të shoqërive do të ofrohen nën emrin dhe markën ONE.

Megjithëse ligjërisht të drejtat e përdorimit të Albtelecom i kalojnë ONE prej datës 1 janar 2023, vendimi i AKEP do të hyjë në fuqi në përfundim të procesit ligjor të bashkimit me përthithje dhe pas pasqyrimit të ndryshimeve përkatëse në Qendrën Kombëtare të Biznesit.

Bashkimi mes Albtelecom dhe ONE do të ketë një ndikim të rëndësishëm sidomos në tregun e komunikimeve celulare, duke e ulur numrin e përgjithshëm të operatorëve nga tre në dy. Ky do të jetë numri më i ulët i operatorëve në tregun celular qysh prej vitit 2008, kur nisi aktivitetin operatorit i tretë celular, Eagle Mobile.

Në vitet e fundit, tregu celular po kalon një fazë konsolidimi dhe përqendrimi, pasi edhe operatori i katërt, Plus. Konsolidimi është një tendencë që ndeshet shpesh në tregjet e telekomunikacioneve, sepse operatorët e vegjël e kanë të vështirë të jenë eficientë në afatin e gjatë, sidomos në tregje me përmasa të vogla, si Shqipëria.

Grupi hungarez 4iG finalizoi blerjen e kompanive ONE dhe ALBtelecom në mars të këtij viti, ndërsa vlera e transaksioneve nuk u bë publike. Në vijim, 4iG e transferoi të gjithë portofolin e vet të sektorit të telekomunikacioneve tek shoqëria tjetër e kontrolluar prej saj, Antenna Hungária, ku aksioner pakice është edhe qeveria hungareze.

Pas përfundimit të bashkimit ONE do të bëhen operatori më i madh në tregun e shërbimeve ceulare dhe operatori i dytë më i madh në tregun e komunikimeve fikse. Sipas të dhënave më të fundit të AKEP, në mesin e këtij viti ONE dhe Albtelecom zotëronin më shumë se 54% të numrit të përdoruesve aktivë të shërbimeve celulare. Ndërkohë, Albtelecom zotëronte 21.3% të numrit të përgjithshëm të abonentëve të internetit nga rrjetet fikse, duke humbur për herë të parë kryesimin e tregut, në favor të Vodafone.

Disa prej frekuencave të ONE dhe Albtelecom i kalojnë Vodafone

Paralelisht me dhënien e miratimit për transferimin e të drejtave dhe detyrimeve të Albtelecom te ONE, Këshilli Drejtues i AKEP ka miratuar edhe një rishpërndarje të re të frekuencave mes tre operatorëve celularë, në ndjekje edhe të rekomandimeve të Autoritetit të Konkurrencës.

Komisioni i Konkurrencës i rekomandonte ndryshime në “Planin Kombëtar të Frekuencave”, pas ndryshimit të strukturës së tregut të komunikimeve elektronike, me qëllim shpërnarje të drejtë të frekeuncave mes dy operatoreve që do të ngelen në treg.

Rekomandimi synon që zotërimi i të drejtave të përdorimit të frekuencave të reflektojë strukturalisht një spektër të balancuar dhe një treg të telefonisë së lëvizshme të ekuilibruar, të pacenuar nga përqendrimi i autorizuar nga Komisioni i Konkurrencës.

Bazuar mbi këtë parim, AKEP ka kërkuar nga sipërmarrësit e telefonisë së lëvizshme arritjen e një marrëveshjeje të ribalancimit proporcional të spektrit të frekuencave mes operatorëve aktivë.

Në këto kushte, të tre sipërmarrësit e pajisur me të drejta përdorimi të spektrit kërkuan nga AKEP garantimin një raundi bisedimesh mes tyre, me qëllim gjetjen e një zgjidhjeje teknike të përshtatshme e cila do të lehtësonte një marrëveshje përfundimtare për një përpjesëtim të ri të spektrit, duke synuar kështu një vetërregullim sa më optimal të tregut përpara se bashkimi me përthithje i shoqërive One Telecommunications dhe Albtelecom të hynte në fuqi.

Në fillim të këtij muaji, tre operatorët dorëzuan në fillim të këtij muaji në AKEP një marrëveshje, në bazë të së cilës Albtelecom do të transferojë te Vodafone Albania tre blloqe të spektrit të frekuencave, ndërsa ONE dy të tilla. Në përfundim, marrëveshja parashikon një përpjesëtim të ri të spektrit nga 59% (pjesa e përbashkët ONE-ALbtelecom) me 41% (pjesa e Vodafone) që është aktualisht, në rreth 51% me 49%.

Pasi ka marrë në analizë marrëveshjen, AKEP ka gjykuar se përpjesëtimi i ri i spektrit është në përputhje me interesin publik, sepse garanton shmangien e deformimeve në konkurrencë dhe siguron përdorimin efecient të spektrit.

AKEP vlerëson se një rikonfigurim i tillë (51% me 49%), rivendos ekuilibrin e munguar, duke shmangur një detyrim të mëtejshëm të shoqërisë së bashkuar për të hequr dorë nga të drejta përdorimi në mënyrë të njëanshme dhe të detyruar dhe për t’ia rikthyer Shtetit kundrejt një kompensimi financiar proporcional.

Sipas AKEP, marrëveshja adreson edhe shqetësimin e shfaqur në vendimin e Komisionit të Konkurrencës për shmangien e barrierave të larta për hyrjen e një operatori të ri në treg, pasi një sërë brezash të përshtatshëm për zhvillimin e teknologjive 4G dhe 5G mbeten të lirë për t’u dhënë në përdorim.

/Monitor

GAZETA.MK

Story i mëparshëm

Jeni gati për fillime të reja? Zbuloni këtu data e ardhshme të “Hënës së Re”

Story i radhës

Shkoi për të vizituar varrin e burrit të saj, një raketë ruse shpërtheu në vend: Skena tronditëse nga Ukraina

Të fundit nga