Nga Kuvendi ku po diskutohet situata e krizës energjitike në vend, deputeti socialist Arben Ahmetaj është shprehur se vendimmarrja për fashën 800 kwh është e duhura. Sipas tij, masa që tashmë ka dhënë efekt pasi qytetarët kanë nisur që të kursejnë dhe të ndërgjegjësohen për krizën që ka prekur vendin.
Edhe nëse fasha do të hyjë në fuqi, sipas Ahmetajt, do të faturohet vetëm “1 përqindëshi i popullsisë që ka më shumë mundësi se pjesa tjetër.”
Sipas deputetit socialist në fakt qeveria ka shkuar përtej mundësive të saj për të mbështetur qytetarët në këtë kohë krize.
“Qeveria ka shkuar përtej kushteve të veta. Ajo që po bën qeveria me energjinë është e pashembullt, për të ndihmuar qytetarët. Edhe biznesi prapë s’e paguan tarifën aq saç është realisht. Kur dilni këtu kundër fashës e bëni politikisht, edhe kundër logjikës.”