Partia Socialdemokrate e Kosovës ka vendosur sot para Qeverisë së Kosovës, 205 mijë nënshkrimet e peticionit të vitit 2016 kundër marrëveshjes për Asociacionin e komunave me shumicë serbe. Ndaj këtij aksioni ka reaguar Agjencia për Informim dhe Privatësi.
Kjo agjenci në reagim i bën thirrje kësaj partie që të mos shpalos të dhëna personale të qytetarëve të Kosovës.
“Agjencia për Informim dhe Privatësi u bën thirrje subjekteve mediatike,portaleve, ashtu si edhe qytetarëve që përdorin rrjetet sociale, të respektojnë kuadrin ligjor në fuqi në mbrojtjen e të dhënave personale, që gjatë transmetimit apo njoftimit me lajmin të mos publikojnë të dhënat personale të qytetarëve që gjenden në listat e shpërndara, duke aplikuar efektet e mjegullimit”, thuhet në reagim.
Agjencia thotë se mbetet e përkushtuar që të zbatojë legjislacionin përkatës konform mandatit dhe kompetencave të saj, duke vlerësuar lart rolin e mediumeve në informimin e drejtë dhe të saktë të publikut.
“Partia Social Demokrate e Kosovës, përmes një aktiviteti të saj para objektit të Qeverisë së Kosovës ka shpalosur listat me nënshkrimet e peticionit të vitit 2016 kundër Marrëveshjes për Asociacionin e Komunave me Shumicë Serbe. Ato lista përmbajnë kategori të të dhënave personale të qytetarëve, të cilat janë mbledhur dhe përpunuar për një qëllim specifik (peticionin e vitit 2016 kundër Marrëveshjes për Asociacionin e Komunave me Shumicë Serbe)”, thuhet në reagim.
Më 27 shkurt, në Bruksel është mbajtur takimi i gjashtë i nivelit të lartë në kuadër të procesit të dialogut. Kryeministri Kurti ka thënë se Kosova ka treguar gatishmëri për të nënshkruar planin evropian, porse Serbia nuk ka qenë e gatshme.
Takimi i radhës i nivelit të lartë politik pritet të mbahet gjatë muajit mars.