Korniza negociuese e miratuar nga BE është e qartë dhe duhet të zbatohet që të vazhdojmë rrugëtimin tonë drejt Brukselit. Ky sipas kumtesës partiake, ka qenë konkluzioni i takimit mes kreut të BDI-së dhe ambasadorit bullgar në Shkup, Zhelasko Radukov.
Komuniteti bullgar në Maqedoninë e veriut është realitet dhe duhet të përfshihet në Kushtetutë, ndërsa nga kjo nuk humbet asgjë askush, përkundrazi, fitojnë të gjithë. Prioritet i BDI-së është pikërisht vazhdimi i rrugëtimit europian, prandaj dhe ndryshimet kushtetuese duhet të ndodhin menjëherë sepse qytetarët presin të bëhemi pjesë e Bashkimit Europian, thonë nga BDI.
Sipas asaj që e thonë nga BDI, Ahmeti ka përsëritur se Marrëveshja e Ohrit, Marrëveshja e Prespës si dhe Marrëveshja për fqinjësi të mirë janë përcaktim i BDI-së dhe do të angazhohen për mbështetjen dhe implementimin e tyre. Ahmeti ka theksuar, siç thuhet, tendencën e pushtetit me legjitimitet monoetnik dhe votimit të njëanshëm të Gjykatës Kushtetuese, që plotësisht të shkelet Marrëveshja e Ohrit, fryma e kësaj marrëveshjeje si dhe kohezioni social, me imponimin e suprmacisë etnike.
-Shqiptarët “e ndershëm” dhe preferencial të zgjedhur nga VMRO DPMNE, ngrenë dorë nga Europa, por edhe nga barazia, duke i nënçmuar dhe poshtërsuar shqiptarët për kolltuqet dhe motivet e tyre korruptuese, shtojnë nga BDI.
Për takimin dhe akuzat e Ahmetit, kryeministri Mickoski u përgjigj:
-Ai mendon se ashtu do të fitojë ndonjë pikë, unë mendoj se ashtu nuk do të fitojë pikë. Në vend që t’i vardiset fqinjëve, në vend të atyre që i ka në vend me të cilët e ndan përditshmërinë, nuk mendoj se ajo është politika e drejtë, por në rregull le të vazhdojë ashtu, ajo është mënyra e tij e sjelljes në politikë, tha Hristijan Mickoski.
Por sa i përket qëndrimit të Ahmetit se bullgarët janë realitet dhe se duhet vendosur në Kushtetutë, Mickoski me qëndrim.
-Nëse ne flasim për bullgarët që t’i vendosim në Kushtetutë tani, atëherë duhet të flasim dhe të shohim bashkësinë maqedonase në Bullgari se çfarë të drejtash ka dhe a e zbatojmë realitetin e bashkësisë bullgare te ne dhe bashkësisë maqedonase në Bullgari dhe atëherë mund të sjellim konkluzione të vërteta, nuk mund të zbatojmë gjëra të ndryshme, shtoi Mickoski.
Mickoski edhe më tej mbetet në qëndrimin se nuk do të pranojnë ndryshime kushtetuese nën asnjëfarë kushtesh, por insiston në ndryshime kushtetuese me prapaveprim. Thotë se letra deri në BE është duke u përgatitur, por siç shton, para se të dërgohet dëshiron që të bisedojë më shumë me liderët europianë.
Burimi: tv21