Me automatizëm iu shkaktua problem Drinit, e gjithë kjo zhurmë që u bë, kryetari i BDI-së, Ali Ahmeti në intervistë për TV21 ka komentuar edhe rastin “Soravia”. Ahmeti tha se nipi i tij pas mbarimit të universitetit, e ka kontaktuar për ta pyetur nëse mund të vazhdojë veprimtarinë në biznes, për çka Ahmeti thotë se ende nuk dihet nëse do të ketë sukses, pasi i gjithë aktiviteti bëhet përmes kredive, që sipas Ahmetit, nipi i tij nuk po arrin ta marrë pas “zhurmës” në opinion.
“Unë nuk e di tani si ka vazhduar Drini me të gjithë ata bashkë bashke investitorë që janë. A do të kenë sukses apo nuk do të kenë, por pa kredi, sepse Drini nuk ka mjete të gatshme, i tërë qarkullimi dihet nëpër banka nëpër kompani. Kompania e vëllait, Ferkiut, ajo nuk mund të investojë dhe të merr përsipër të bëjë ballë”, theksoi Ahmeti.
Ahmeti tha se personalisht asnjëherë nuk ka dashur që pjesëtarë të familjes së tij të bëhen pjesë e politikës dhe se si rrjedhojë nuk mund të ua ndalojë aktivitetet tjera në profesionet e tyre.
“Ne Gestapo nuk mund të bëhemi, t’i marrim t’i burgosim. Unë nuk mund të ia ndalojë as Drinit, as Shkumbinit, as Kushtrimit, që këta të mos aktivizohen…ose unë duhet t’i bëjë ministra. Çfarë do të thoni nëse unë i bëj ministra. Çfarë do të thoni nëse i bëjë drejtorë, nëse i bëjë funksionarë, ju thoni nepotizëm, të tjerët do të thonë ja nuk na mundëson neve, ua mundëson të afërmve. Kam ra në hall si thënie e moçme “hip se të vrava, zbrit se të vrava”. Për mua është e rëndësishme të respektohen ligjet, mos të shfrytëzohen paratë e shtetit, nëse vërtetohet se paratë e shtetit janë të shfrytëzuara për biznese private, është shkelje morali”, theksoi Ahmeti.